TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të fuqishme ajrore kundër dhjetëra objektivave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në përgjigje të një tentative iraniane për të goditur me raketa balistike bazat amerikane në Jordani dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se operacioni zgjati rreth një orë dhe kishte në shënjestër qendra komanduese ushtarake, objekte raketore dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe kapacitete detare të Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi para gazetarëve se SHBA do të përgjigjej me forcë ndaj sulmeve iraniane. “Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se kjo po vjen dhe na kërkuan të mos e bënim,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane tha se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, duke e cilësuar veprimin si përgjigje ndaj “akteve agresive të ushtrisë amerikane”. Ajo gjithashtu pretendoi se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, shkruan A2.
Përshkallëzimi i fundit vjen vetëm një ditë pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak. Sipas Komandës amerikane, këto operacione ishin përgjigje ndaj më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga Irani gjatë 72 orëve të fundit.
Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, të dominuara nga milicitë shiite të mbështetura nga Irani, deklaruan se të paktën 20 anëtarë të tyre u vranë gjatë sulmeve. Presidenca irakiane dënoi bombardimet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të vendit, ndërsa presidenti Trump tha se operacionet ishin të koordinuara me qeverinë e Irakut.
Ndërkohë, ministri saudit i Mbrojtjes, Princi Khalid bin Salman, i ka përcjellë presidentit Trump dëshirën e Arabisë Saudite për uljen e tensioneve në rajon. Konflikti, i cili nisi pesë muaj më parë, vazhdon të mbetet pa një zgjidhje diplomatike, pavarësisht përpjekjeve për negociata.
Goditen dhjetëra objektiva ushtarake në Iran, raportohen tre të vrarë! Jordania rrëzon pesë raketa iraniane
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi se ka goditur dhjetëra objektiva të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në përgjigje të sulmeve me raketa balistike të ndërmarra një ditë më parë ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës së CENTCOM, sulmet kanë shënjestruar qendra komanduese ushtarake, baza raketash dhe dronësh, sisteme vëzhgimi, mbrojtjeje bregdetare dhe kapacitete detare të Iranit.
"Objektivi i operacionit ishte reduktimi i kërcënimeve që paraqesin Irani dhe grupet e lidhura me të ndaj forcave amerikane, lundrimit tregtar dhe vendeve të Gjirit", thuhet në deklaratë. CENTCOM shton se më 28 korrik forcat iraniane lëshuan disa raketa balistike ndaj bazave amerikane në rajon, por të gjitha u interceptuan me sukses. Aktualisht, mbi 50 mijë ushtarë amerikanë ndodhen të dislokuar në Lindjen e Mesme dhe mbeten në gatishmëri të plotë.
Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se bombardimet amerikane kanë shkaktuar tre viktima civile në ishullin Qeshm. Sipas agjencisë Fars, mes të vrarëve janë një burrë, bashkëshortja e tij dhe djali i tyre dyvjeçar, ndërsa dy fëmijë të tjerë mbetën të plagosur pas goditjes së një banese në zonën Chah Tangu.
Në të njëjtën kohë, ushtria jordaneze bëri të ditur se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar pesë raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Mbretërisë në orët e para të mëngjesit. Sipas autoriteteve, raketat u identifikuan dhe u shkatërruan sipas planeve të mbrojtjes ajrore, pa shkaktuar viktima apo dëme.