BOTA, 29 July 2026, 22:41

Tension mes SHBA dhe Kinës/ Trump: Do të zhgënjehesha shumë nëse Pekini armatos Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ishte shumë i zhgënjyer nga homologu i tij kinez, Xi Jinping, nëse Kina do t’i siguronte armë Iranit.

Reagimi i Trump vjen pas raportimeve se Teherani pritet të marrë një dërgesë të re me sisteme mbrojtjeje ajrore të prodhuara në Kinë. Sipas Reuters, bëhet fjalë për rreth 300-400 raketa mbrojtëse ajrore me qitje, të cilat pritet të mbërrijnë në Iran brenda disa javësh. Marrëveshja raportohet se ka një vlerë prej 60-70 milionë dollarësh.

Më herët, CNN raportoi se inteligjenca amerikane kishte sinjalizuar se Kina po përgatitej t’i dërgonte Iranit sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Teherani po përpiqet të rikuperojë kapacitetet e tij ushtarake me ndihmën e partnerëve të huaj.

I pyetur për raportimet e Reuters, Trump u shpreh se një veprim i tillë do të ishte befasues.

“Epo, kjo do të ishte e habitshme. Dua të them, gjëra të tilla ndodhin, por kjo do të ishte e habitshme”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

Presidenti amerikan shtoi se Xi Jinping i kishte garantuar se Kina nuk do të përfshihej në një mbështetje të tillë për Iranin.

“Ai më tha shumë fuqishëm se nuk do të merrte pjesë dhe e di që do të zhgënjehesha shumë”, deklaroi Trump.

Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-ja po monitoron nga afër përpjekjet e Iranit për të forcuar sistemet e tij të mbrojtjes pas përplasjeve të fundit dhe presionit ndërkombëtar.