AKTUALITET, 27 July 2026, 12:24

Lirohet Arben Kola, aktivisti: U shoqërova për thirrjen ‘Edi Rama i pabesë’, u bënë xhelozë! Policia shantazhon protestuesit

shtë liruar nga Komisariati nr. 1 Arben Kola, një nga organizatorët e protestës së zhvilluar sot në Tiranë si dhe një tjetër protestuese e shoqëruar gjatë tubimit të sotëm..

Pas daljes nga ambientet e policisë, Kola dha një prononcim për mediat, ku tha se shoqërimi i tij erdhi ndërsa po bënte thirrjet e zakonshme të protestës.

“Thjesht po bëja thirrjet tona të zakonshme. Thirrjet ishin: ‘Ju me gaz, ne me vezë’, ‘Edi Rama i pabesë’. Si duket u bënë xhelozë”, u shpreh ai.

Sipas Kolës, efektivët nuk i dhanë një shpjegim konkret për shoqërimin.

“Nuk thanë asgjë. ‘Pse ke dalë, ligji ky e ligji ai’, siç janë akuzat që policia përdor për të shantazhuar protestuesit. Nuk u ushtrua presion”, deklaroi ai.

Në përfundim të prononcimit, Kola përsëriti se, sipas tij, shoqërimi ishte i motivuar nga mesazhet e protestës.

“U bënë xhelozë nga fjalët që thashë”, përfundoi ai.

Pas qëndrimit prej pak orësh në ambientet e komisariatit, ata janë lënë të lirë, ndërsa protesta vijon të jetë e planifikuar të zhvendoset në orën 19:00 para Kryeministrisë, në kuadër të tubimeve të zhvilluara prej javësh.