LIFESTYLE, 15 Maj 2022, 17:09

Çfarë ndodhi në Eurovision? 6 vende tentuan të manipulonin rezultatin, reagon EBU-ja

Çfarë ndodhi në Eurovision? 6 vende tentuan të manipulonin

Ukraina u shpall fituese në Eurovision pasi grupi përfaqësues përmbysi rezultatin duke dalë në vendin e parë me votat që mori nga publiku. Në vendin e dytë u rendit Mbretëria e Bashkuar ndjekur më pas nga Spanja. Suedia dhe Serbia plotësuan Top 5. Megjithatë, votimi nuk ishte aq i drejtpërdrejtë sa duket.

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) iu desh të hiqte votat e 6 vendeve pasi kishte vërejtur “modele të parregullta votimi”. Ato u zëvendësuan nga një rezultat i përmbledhur i bazuar në vendet me modele të ngjashme votimi si në gjysmëfinalen e dytë ashtu edhe në finalen e madhe.

Votat nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe San Marino u zëvendësuan të gjitha me rezultatin e ri. EBU lëshoi një deklaratë gjatë finales së madhe, para se të fillonte të niste segmenti i votimit, përmes së cilës bënte me dije se disa vende kishin tentuar që të manipulonin rezultatin.

“Në mënyrë që të jetë në përputhje me udhëzimet e votimit të konkursit, EBU punoi me partnerin e saj votues për të llogaritur një rezultat të përgjithshëm zëvendësues për secilin vend në fjalë si për gjysmëfinalen e dytë ashtu edhe për finalen e madhe (llogaritur në bazë të rezultateve të vendeve të tjera me të dhëna votimi të ngjashme).

Ky proces u pranua nga Monitoruesi i Pavarur i Votimit. EBU e merr jashtëzakonisht seriozisht çdo përpjekje të dyshuar për të manipuluar votimin në Eurovision dhe ka të drejtë t’i heqë këto vota në përputhje me Udhëzimet Zyrtare të Votimit, pavarësisht nëse vota të tilla mund të ndikojnë apo jo në rezultatet dhe/ose rezultatin të votimit.”, thuhej në deklaratë.