TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ashtu si në çdo zgjedhje për kreun e ri të Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH), edhe këtë herë, duket se gjithçka po kalohet me pak bujë, dhe po punohet nën rrogoz për zgjedhjet që do të mbahen me 2 mars, fiks pesë vjet që nga zgjedhja e Skënder Bruçajt në krye të KMSH-së. Por, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2014, këtë herë komuniteti mysliman shqiptar është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të qëndrimeve që po mban presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan .
Pse Erdogan kërkon drejtimin e Komunitetit Musliman Shqiptar?
Pas luftës, tashmë të nisur prej kohësh me Fetyllah Gylenin, të cilin, Erdogan e akuzon për grushtin e shtetit të vitit 2016 në Turqi, presidenti turk nuk ka reshtur së kërkuari shkatërrimin e celulave, siç i quan ai, të Gylenit, të cilët janë të shtrirë jo vetëm në Turqi, ku arrestimet janë në shifra mjaft të mëdha, por edhe në shumë vende të botës .
Një nder shtetet, ku Turqia dhe Erdogani janë shprehur hapur për lëvizjen Gylen është Shqipëria, dhe se sipas tyre, rrjeti i Gylenit në Shqipëri, është vendosur nëpër shkolla, universitete si dhe në drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Më 13 maj 2015, presidenti Erdogan vizitoi Shqipërinë ku dhe vendosi gurin e themelit për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, me një investim prej 30 milionë euro nga shteti turk, dhuratë, sipas tij, për popullin shqiptar. Erdogan kërkoi hapur atëherë nga Shqipëria deportimin e gylenistëve drejt Turqisë, pasi, sipas ti,j ata janë të shtrirë edhe në Shqipëri dhe gjatë takimeve në atë kohë më kryeministrin Rama, por edhe presidentin Nishani, ai u shpreh qartë se e kishte biseduar këtë gjë me “dy vëllezërit e tij shqiptarë”.
Në vitin 2016, ambasada turke në Tiranë i kishte dërguar një shkresë Ministrisë se Arsimit, që të ndalojë vendosjen e simboleve të Turqisë, dhe flamujt në shkollat në Shqipëri, pasi që ata pretendonin se disa prej atyre shkollave kanë lidhje me Gylenin. Pas kësaj shkrese, simbolet u larguan.
Erdogan kishte urdhëruar Edi Ramën që, edhe shkollat e lëvizjes së Gylenit të mbylleshin, por kjo kërkesë u refuzua. E njëjta kërkesë shkoi edhe në Kosovë për Hashim Thaçin dhe Isa Mustafen.Kosova dhe Shqipëria e kthyen mbrapsht kërkesën e Erdoganit me argumentin se, për sa kohë janë të licencuara dhe përmbushin standardet, shkollat s’kanë pse të mbyllen.
Erdogan ka kërkuar edhe mbylljet e disa medreseve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Në listë janë edhe kolegjet turke në Shqipëri si: “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës, Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin “Meridian”, Fondacioni i edukimit “SEMA”, Shkolla në gjuhën angleze, “Memorial International School of Tirana”, Universitetet “Bedër” dhe “EPOKA” dhe qendrat kulturore, “Horizontet e Reja” dhe “Drita Islame”.
Erdogan për Shqipërinë
Erdogan premtoi se, Turqia do të financonte mbi një miliard euro investime në Shqipëri ku përveç Xhamisë së Namazgjasë, Turqia do të investonte në ndërtimin e parlamentit të ri si dhe 26 shtëpive muze në Gjirokastër. Të gjitha këto premtime, sigurisht që, e kanë një detyrim, deportimin e gylenistëve drejt Turqisë ,por edhe marrjen e drejtimit te KMSH.
Shtrirja e investimeve turke në Shqiperi
Kompanitë turke në Shqipëri sot drejtojnë disa nga pikat strategjike në ekonominë tonë, si Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), telefoninë celulare Albtelekom, investime në energji, por edhe në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, apo edhe në “Lasgushin” e premtuar nga Rama prej disa muajsh që, ende nuk ka nisur nga puna për linjën e parë ajrore shqiptare, “Air Albania” .
Ndryshe nga Kosova, e cila deportoi gjashtë gylenistë, Shqipëria nuk e ka bërë një gjë të tillë.Por kërkesa kryesore e Ankarasë është marrja e drejtimit te KMSH.
Lidhja okulte Erdogan –Rama
Lidhjet personale mes Edi Ramës dhe Erdogan tashmë janë të njohura. Kryeministri shqiptar nuk e ka fshehur kurrë miqësinë personale me presidentin turk. Ai ka qenë ndër të paktët të ftuar në dasmën e vajzës së Erdoganit disa vite më parë, por ardhja e Ramës në pushtet gjatë vitit 2013 e blindoi akoma e më shumë këtë miqësi, nga shtetërore në personale.
Edi Rama nisi afrimin tashmë publik me presidentin e Turqisë, Erdogan, në vizita zyrtare, por shpesh edhe personale ai shfaqej në krah të presidentit turk, madje ai ishte i ftuari special i Erdogan kur u inaugurua hapja e urës më të madhe në Bosfor, ku Rama si pasagjer ndihej komod në të njëjtën makinë me shofer Erdoganin.
https://www.youtube.com/watch?v=hvZEIbx1MIk
10 gusht 2014 ,nuk kishte kaluar as një vit që qeveria e drejtuar nga Rama e kishte shpallur Turqinë një partner strategjik.
Shqipëria po i gëzohet edhe investimeve turke pavarësisht nga prapavija politike që ato kanë si një zgjatim i idesë për ta shndërruar perandorinë e dikurshme në një superfuqi të botës së nesërme. Ankaraja është sot partneri i dytë më i rëndësishëm ekonomik i yni. Investimet turke kapin shifrën e 2. 7 miliardë USD, të punësuarit prej tyre plot 11 mijë shqiptarë, ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare që vërtitet rreth 460 milionë euro, synohet të dyfishohet, pohojnë me krenari diplomatët turq në Tiranë.
Po ç‘farë ka pas kësaj dëshire për të mos u ndalur? A janë këto para të ardhura nga Anadolli thjesht një dhuratë dhe asgjë më shumë apo? Po investimet turke me 30 milionë eurot të falura nga Erdogani për ndërtimin e xhamisë së Tiranës a kanë një prapavijë tjetër? Prej kohësh qarkullojnë fjalë se Erdogan ka vënë kusht për pjesëmarrjen në inaugurimin e veprës që ka sponsorizuar vetë, kokën e kreut të myslimanëve shqiptarë, që ai e konsideron një element të rrjetit gylenist.
Lufta e brendeshme për komunitetin musliman
Skëndër Brucaj rikandidon sërish për një mandate të dytë, ndërkohë që në garë është futur edhe Gëzim Abdishaku,por edhe disa kandidatë të tjerë periferikë, por gara me e fortë do të jetë ajo mes Brucaj dhe myftiut të Tiranës, Ylli Gurra, i cili edhe ai ka zyrtarizuar kandidimin për kreun e ri të KMSH-së.
Gurra ka studiuar në Stamboll. Aktualisht është Myftiu I Tiranë. Që pas luftës së shpallur mes Erdogan dhe Gylen, Gurra këto vitet e fundit është shfaqur më shumë në publik madje edhe në krah të kryeministrit Edi Rama duke eklipsuar deri diku rolin e kreut të KMSH, Skëndër Brucaj .Gurra konsiderohet si krahu i Erdogan në KMSH dhe i preferuar i tij në kë këtë komunitet.
Gjithashtu listës së garimit u janë shtuar edhe disa emra të tjerë, ndoshta për të ndarë votat mes tyre .
Skënder Bruçaj
Islam Hoxha, Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH
Bujar Spahiu, Nënkryetar i KMSH,
Ylli Gurra, Myfti I Tiranes,
Gramos Blliku, Myfti i Lushnjës,
Gezim Abdishahi, inspektor i xhamive
Janë 35 myftinj, 12 anëtarët e kryesisë së KMSH dhe 45 anëtarë të shoqërisë civile, që me votë të fshehtë do të zgjedhin kryetarin. Bruçaj njihet për konfliktin që ka me Turqinë, e cila e konsideron një përkrahës të linjës së klerikut Fetullah Gylen.
Përballja –Brucaj- Gurra
Skënder Brucaj, i diplomuar për Psikologji në Turqi, njihet si një njeri i lëvizjes Gylen, ai në CV-në e tij nuk e ka fshehur aspak se ka qenë një nga njerëzit e parë të hapjes së universitetit “Beder” në Tiranë, por edhe ne disa deklarata të tij publike ai ka folur qartë edhe për afërsinë e tij me Gylen , ndërkohë që i pyetur kohë më parë për lëniën jashtë nga protokolli në vizitën e Erdogan në Shqipëri gjatë hapjes së themeleve nga KMSH ai u shpreh:
“Ne shqiptarët jemi njerëz mikpritës. Ndonjëherë i japim mikut vendin kryesor dhe rrimë në vendin tonë. Madje ndonjëherë miku harron se kush është i zoti i shtëpisë. ”
Pikërisht kjo deklaratë, por edhe të tjera që kanë pasur më pas kanë treguar qartë vijën e ndarjes që egziston mes Brucaj dhe Erdogan .
Në Tiranë nesër nuk do të zgjvillohen thjesht zgjedhje formale se cili do të drejtoj KMSH, por lufta është edhe me e gjerë ,pasi ndikimi i Turqisë në këto zgjedhje pritet të jetë shumë i madh .
Pyetja që shtrohet tani është se a do të ndikojë shteti shqiptar nën rrogoz në këto zgjedhje ? kjo mbetet për tu parë .
Nesër është një sprovë edhe e miqësisë së madhe mes Ramës dhe Erdogan .
/TPZ.AL/