AKTUALITET, 12 October 2026, 15:16

Mbështetja/ Hapet thirrja për kreditë studentore, ndihmë për tarifën e studimit, qiranë e ushqimin për rreth 500 studentë

Mbështetja/ Hapet thirrja për kreditë studentore, ndihmë

Janë hapur kreditë studentore, nga të cilat mund të përfitojnë rreth 500 studentë. Ministrja e arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se skema e Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë mbështet pagesën e tarifës së studimit, por kredia mund të përdoret edhe për qiranë, ushqimin apo transportin.

“Një nga elementet kryesore të saj është mbulimi i normës së interesit nga Buxheti i Shtetit, dhe studentit i mbetet një normë interesi prej vetëm 0.5%.  Kredia mund të përdoret qoftë  për të mbuluar  tarifën e studimit, ashtu edhe për kostot e jetesës, sepse e dijmë që për studentë që vijnë nga qytete të tjera në Tiranë që ka kosto më të larta jetese. Mund të mbështesë deri në 500 studentë”, u shpreh Kumbaro.

Deklaratën Ministrja e Arsimit e bëri gjatë hapjes së thirrjes për financimin e doktoraturave 2026, ku ndër të tjera tha se buxheti I këtij programi kaloi 600 mijë euro , nga rreth 100 mijë euro që ishte një vit më parë.

“Të rrisësh me gjashtë herë buxhetin nga një vit në tjetrin, është shumë e konsiderueshem. E tëra në dispozicion të studentëve doktorantë. Vitin e kaluar granti që jepej për një student doktorant shkonte diku te 5 mijë euro, e kemi dyfishuar këtë vit deri në 10 mijë euro. Për kategorinë e dytë mbështetja për student shkon deri në 30 mijë euro”, tha Kumbaro.

Thirrja këtë vit ka theksin te inovacioni si dhe fushat e shkencës, teknologjisë,, inxhinierisë apo matematikës. Kumbaro njoftoi gjithashtu se drafti I parë për rishikim të ligjit për arsimin e lartë pritet të jetë gati në fund të muajit tetor, ndërsa ndryshimet synojnë përafrim të programeve që aktualisht ofrohen nga universitetet me mevojat e tregut të punës.