TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Protesta e studentëve ka ngjallur reagime edhe përtej kufijve. Këtë herë është Unioni Studentor në Britani, që është solidarizuar me kolegët e tyre shqiptar kundër rritjes së tarifave të studimit.
Një nga përfaqësueset e organizatës, Shelly Asquith përgëzon studentët shqiptar për iniciativë.
“Mirënjohje për Daniel Nikollën [ish-student shqiptar në Angli], që më informoi për atë që po ndodh në Shqipëri. Protesta të mëdha dhe të vazhdueshme të studentëve kundër rritjes së tarifave të shkollimit”, shkruan ajo në ‘Twitter’.
Në një letër e cila u është drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protestojnë që prej 7 ditësh parashtrojnë këto 8 kërkesa:
1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.
2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.
Në letrën drejtuar institucioneve thuhet se studentët do të bojkotojnë mësimin deri kur 8 kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. “Kushtet janë të panegociueshme”, e mbyllin letrën studentëve.