TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të jetë ndër më të lartët në rajon, ndërsa rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po shton presionin mbi konsumatorët. Ekspertët e ekonomisë, Ergis Sefa dhe Igli Tola, thanë në “7pa5” në Vizion Plus se përveç situatës në Lindjen e Mesme, çmimi i lartë në vend lidhet edhe me taksat, mungesën e konkurrencës dhe varësinë nga importet.
Eksperti Ergis Sefa thekson se pothuajse gjysma e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, ndërsa Shqipëria është e ekspozuar ndaj luhatjeve ndërkombëtare për shkak të mungesës së kapaciteteve të rafinimit.
“Pothuajse gjysma e çmimit që ne paguajmë sot janë taksa të formave të ndryshme, ndër të cilat TVSH-ja dhe akciza janë më të mëdhatë. Por ndoshta gabimi ynë më i madh si vend është mosdiversifikimi i burimeve. Ne jemi shumë të varur nga një apo dy vende nga ku importojmë naftën. Pavarësisht se ne vazhdojmë të nxjerrim naftë nga toka, e dërgojmë të gjithën jashtë për ta rafinuar. Kombinimi i të dyjave bën që ne të jemi tërësisht të varur nga tregjet ndërkombëtare dhe luhatjet që kanë çmimet”, tha Sefa.
Sipas tij, qeveria mund të shqyrtojë një ulje të përkohshme të taksave, por masa duhet të shoqërohet me kontroll të fortë të tregut, në mënyrë që përfitimi të shkojë te konsumatori dhe jo te operatorët.
“Ajo që mund të mendohet është të gjendet mënyra për një periudhë të shkurtër kohore, disa javore apo disa mujore, që një pjesë e taksave ose të reduktohen, ose të eliminohen për të ndikuar drejtpërdrejt te çmimi. Por duhet parë se sa realisht ky shkurtim taksash do të impaktojë në çmim, sepse shpeshherë ky reduktim i taksave shkon më shpejt si marzh fitimi për operatorët sesa si ndikim i drejtpërdrejtë në uljen e çmimit për konsumatorin final”, u shpreh eksperti.
Ndërkohë, Igli Tola nënvizon se Shqipëria e ka pasur çmimin e karburanteve më të lartë në rajon edhe para krizës aktuale. Sipas tij, rritja e fundit është globale, por diferenca qëndron te niveli nga i cili është nisur secili treg.
“Edhe përpara situatës që ka muaj që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, ne i kishim çmimet më të larta në rajon. Absolutisht jo si këto aktualet, por nëse tek ne tregtohej me një çmim rreth 170–180 lekë, ndërkohë në vende fqinje si Kosova apo Mali i Zi çmimi varionte 1.3–1.4 euro për litër. Ndërkohë sot ne jemi me një çmim rreth 229–230 lekë për litër. Problemi është se aktualisht ka një rritje në të gjitha tregjet për shkak të rritjes së naftës bruto”, deklaroi Tola.
Tola sjell si shembull Italinë, ku qeveria ka ndërhyrë për të reduktuar disa nga taksat mbi karburantet, ndërsa kërkon që edhe Shqipëria të shqyrtojë masa konkrete për të frenuar ndikimin te qytetarët.
“Teksa vende si Italia, qeveria Meloni, para pak javësh ndërmori masa për të reduktuar një sërë taksash që paguheshin përmes çmimit të karburantit, ndërkohë tek ne një gjë e tillë nuk po shihet. Ajo që duhet të themi është se, për sa kohë po shënojmë përditë çmime rekord historike për karburantet, nuk mund të flasim më për një çmim maksimal që mund të arrijmë.”
Sipas Tolës, një tjetër rrezik është që rritja e karburanteve të përkthehet në rritje të mëtejshme të të gjitha çmimeve, për shkak të peshës që transporti ka në ekonominë shqiptare.
“Duke qenë se transporti është një nga zërat kryesorë të formimit të çmimit, patjetër që një rritje në çmimin e karburanteve do të sjellë një rritje ose një inflacion të shtuar për të gjithë shportën e konsumit. Aktualisht çmimi është i hapur dhe ne mund të shohim edhe vlera 250–260 lekë për litër e të mos kemi më mundësi për të reaguar.”
Eksperti paralajmëron se, nëse situata në Lindjen e Mesme vijon, muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për konsumatorët shqiptarë.
“Duhet të presim një vjeshtë që do të jetë e vështirë për sa kohë nuk po ka një zgjidhje për situatën në Lindjen e Mesme. Ajo që duhet bërë është që, ndaj problemeve që janë në nivel ndërkombëtar apo global, të mundohen të japin disa zgjidhje lokale. Pra, të ketë veprime nga qeveria për t’i dhënë zgjidhje lokale, të paktën për të frenuar kostot e shtuara për xhepat e qytetarëve”, përfundoi Tola.