AKTUALITET, 14 September 2026, 09:11

"Disa prej shkollave, të rilindura"/ Viti i ri shkollor, urojnë Begaj e Rama: Besoni te vetja, tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja

Presidenti Bajram Begaj, uroi nisjen e vitit të ri shkollor. Në një mesazh Begaj shprehet se çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar.

Presidenti Begaj përcolli një urim të veçantë për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata mësues, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë këtë mision fisnik.

Mesazhi i Presidentit Begaj:

Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar. Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije.

 Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij.

 Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur! Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse!

 Të dashur nxënës,

Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!

Viti i ri shkollor, Rama: Një vit të mbarë nxënësve dhe mësuesve

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë nxënësve një vit të ri shkollor.

Në një postim në rrjetet sociale Rama ka shpërdërë edhe fotot e disa prej shkollave të rikonstruktuar këtë vit.

“Mirëmëngjes dhe me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë.

Disa prej shkollave të rilindura këtë vit, me kushte dhe standarde të reja për nxënësit dhe mësuesit”, shkruan Rama.