AKTUALITET, 14 September 2026, 09:49

FOTOT/ Protestuesit tentojnë të bllokojnë rrugën tek "Zogu i Zi" e pranë shkollës “Qemal Stafa”, policia ndërhyn dhe shoqëron disa persona

Një tjetër formë proteste është zhvilluar sot në Tiranë, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, teksa trafiku në kryeqytet ka qenë në nivele të larta.

Protestuesit kanë tentuar të protestojnë në nyjën e qarkullimit te Zogu i Zi, një nga akset më të ngarkuara të Tiranës, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme, ndërsa disa prej protestuesve janë shoqëruar nga efektivët.

Ngjarja ka ndodhur në një moment kur fluksi i automjeteve në kryeqytet është i lartë për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor, duke sjellë edhe ngarkesë të shtuar në akset kryesore të Tiranës.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të shmangur bllokimin e nyjës së qarkullimit dhe për të rikthyer lëvizjen normale të automjeteve.

Një grup protestuesish është ndalur edhe pranë shkollës “Qemal Stafa”, në momentin kur aty po këndohej himni kombëtar.

Në vendngjarje ka ndërhyrë policia për t’i zhvendosur protestuesit, ndërsa mes tyre dhe efektivëve ka pasur edhe konfrontime.

Forcat e policisë, efektivë të “Shqiponjave” dhe të FNSH-së, kanë bërë të mundur zhvendosjen e protestuesve në drejtim të rrethrrotullimit të “Zogut të Zi”.

Më pas, policia ka nisur thirrjet përmes megafonit, duke kërkuar: “Lironi rrugën”. Pak çaste më vonë, efektivët kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar të paktën 10-12 protestues.