BALLKAN, 6 October 2026, 09:33

Kosovë/ Sot afati i fundit për presidentin ose vendi shkon sërish në zgjedhje! Protestuesit rikthehen në shesh: Votoni ligjin për Specialen!

Kosovë/ Sot afati i fundit për presidentin ose vendi shkon sërish

Kosova hyn sot në një ditë vendimtare, me protestuesit që rikthehen sot para Kuvendit për të kërkuar votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa pikërisht këtë të martë skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Është një skenar që Kosova e ka përjetuar vetëm pak muaj më parë. Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u shkaktuan pikërisht nga dështimi i Kuvendit të mëparshëm për të zgjedhur presidentin. Por as vota e qershorit nuk e zgjidhi ngërçin.

Protesta rinis sot pas një të hëne të trazuar, kur ndryshimet për Specialen kaluan në parim me 91 vota, por nuk u votuan në lexim të dytë. Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë lanë 17 persona të lënduar - 11 qytetarë dhe 6 efektivë, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji. Gjatë protestës pati edhe 3 të arrestuar, ku në prangat e policisë përfundoi djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për rikthimin e qytetarëve në shesh. Protesta e sotme është paralajmëruar të nisë në orën 09:00, me të njëjtën kërkesë: Kuvendi të mblidhet dhe të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Specialen.

 
Por sot është njëkohësisht edhe dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Radha e këtyre dy votimeve përplasi dje Vetëvendosjen me PDK-në. LVV kërkon zgjedhjen e presidentit dhe më pas votimin për Specialen, ndërsa PDK kërkon fillimisht miratimin përfundimtar të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara dhe më pas presidentin.

Takimi i djeshëm mes Albin Kurtit dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje. Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi mbrëmë se partia është e gatshme që sot të zhvillohen të dyja votimet, në dy seanca.

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit të sotëm, Kosova përballet me zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. 

Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?

Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Çfarë janë Dhomat e Specializuara?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.