TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp nga Kryeministria dhe ka folur mbi punimet dhe të gjitha kantieret e hapura për furnizimin me ujë të pijshëm.
Rama deklaroi:
“Sot që flasim ka 23 zona urbane me 24 ujë furnizim me ujë. Deri në vitin 2021 furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, duke përfshirë që nga Laçi në Kavajë, që nga Fushë-Krujë në Berat e me radhë”.
Verfikim fakti:
Zonat urbane që kanë furnizim me ujë 24 orë janë Tepelenë, Memaliaj, Përmet dhe Cërrik, të realizuara nga Qeveria Rama dhe Korçë, Pogradec, Fier, Lezhë, Fushë Arrëz, Tropojë, Bilisht, Konispol dhe Maliq, të realizuara nga qeveritë e mëparshme (Burimi: Raporti i ERRU i këtij viti). Gjithsej janë 13 qytete që kanë 24 orë furnizim me ujë dhe jo 23. Kryeministrit ia kanë shkruar gabim, sepse Enti i rregullator ka nxjerrë të dhënat e mësipërme.
Për vitin 2020, sipas ERRU, nga investimet e qeverisë qendrore pritet që të realizohet furnizimi me ujë për 24 orë/ditë edhe për 8 qendra urbane të tjera (qytete), përkatësisht, Pukë, Vau Dejës, Koplik,
Krujë, Peqin, Këlcyrë, Ersekë, Rrëshen dhe Poliçan, që e çon në fund të vitit 2020 në 22 numrin e qyteteve të furnizuara me ujë pa ndërprerje në të gjithë vendin”. Te gjithë këta ujësjellës janë në fazë shiritash përurimi, pa përfunduar.
Kryeministri deklaroi:
“Tirana është një histori ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, nga 7 orë furnizim mesatarisht, sot vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë kryeqytetin”.
Verifikim fakti:
Se sa orë në ditë ujë furnizohet Tirana e tregojnë cisternat mbi tarraca dhe pompat që ulërijnë nëpër pallate. Por, bazuar në shifrat e ERRU-së, Tirana furnizohet me ujë mesatarisht 13.5 orë në 24.
Kujtojmë se Kryebashkiaku Veliaj u ka rritur çmimin e ujit banorëve të Tiranës, në 65 lekë në vitin 2017. Ai premtoi ujë 24 orë dhe e bindi ERRU-së këto para i duheshin për të mbuluar 30 për qind të investimeve, kurse për pjesën tjetër do të merrte kredi dhe donacione. Angazhimi është që deri në vitin 2022, Tirana të marrë 24 orë ujë të pijshëm. Ecuria e deri tanishme tregon se Ujësjellësi i Tiranës ka rritur sipas shifrave të ERRU, vetëm 1.5 orë ujë në ditë, pas shtrenjtimit të tarifës së ujit. Nëse vazhdon me këtë trend, ujësjellësi i Tiranës nuk ka gjasa të rrok objektivat që deklaron Rama më sipër.
Nga ana tjetër, kryeministri nuk përmend se rrethinat e kryeqytetit nuk furnizohen as me 6 orë ujë në ditë. Sipas Raportit të ERRU, publikuar këtë vit, edhe pse i përmirësuar ky tregues është në nivel të papranueshëm për shoqëritë që akoma ofrojnë shërbim deri në 6 orë/ditë, si UK Kamëz.
Në këtë nivel janë edhe UK Roskovec, UK Kavajë, UK Klos, UK Lushnjë, UK Dropull, UK Finiq dhe UK Krujë. “Ky tregues, krahas nivelit të ulët të shërbimit të ofruar lidhet edhe me problemet e rrezikut të shëndetit të publikut nga mundësia e futjes në tubacione të ujërave nëntokësore të ndotura gjatë kohës që tubacionet janë bosh madje dhe shpesh herë nën presion negative”, ky është konstatim zyrtar, që Kryeministri e shpërfill në fjalimin e tij elektoral.
FAKT:
Sipas raportit të fundit vjetor të ERRU, asnjë shoqëri ujësjellësi nuk ofron furnizim të pandërprerë me ujë dhe me presionin e duhur si mesatare për të gjithë zonën e re të shërbimit ku përfshihet edhe zona rurale. Referuar të dhënave të vitit 2019 krahasuar me vitin 2015 (para fillimit të reformës territoriale) popullsia e zonës rurale që shërbehet nga shoqëritë UK është rritur, por kohëzgjatja e furnizimit me ujë të pijshëm për këto zona përgjithësisht është e ulët krahasuar me zonën urbane.
/TPZ.al/