TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me rastin e 76-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot homazhe pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur!
Meta tha para mediave se çlirimi i Tiranës ishte mjaft i rëndësishëm, pasi siç u shpreh ai dha legjitimitet luftës antifashiste.
Kreu i Shtetit nuk kurseu as mesazhet politike, ndërsa u shpreh se kjo ditë duhet të na shërbejë si një ditë reflektimi.
“Përulem para gjithë dëshmorëve. Është një nga betejat më të mëdha e të lavdishme, kundër bishës nazifashiste. Vetëm në Mushketa nazistët lanë mbi 2 mijë kufoma dhe rreth 7 mijë trupa që erdhën nga Greqia për në Tiranë e patën të pamundur të futen falë një operacioni të forcave partizane. Çlirimi i Tiranës ishte mjaft i rëndësishëm, i dha legjitimitet luftës antifashiste.
Një mirënjohje e veçantë për popullin e Tiranës që u bë njësh me çlirimtarët, kthehu shtëpitë e tij në fortifikata kundër pushtuesve. Ndërtonin barrikada natën, që çlirimtarët të përparonin ditën për çlirimin. Në këtë ditë është e rëndësishme jo vetëm të përulemi me nderim por mbi të gjitha të punojmë për t’i shkuar deri në fund amanetit e tyre për një Shqipëri të lirë, ku shqiptarët të jetojnë të lumtur e optimist në atdheun e tyre, për t’i dhënë fund shpopullimit.
Sot është një ditë reflektimi për të bërë shumë më tepër se deri tani që Shqipëria të mos e humbasë orientimin europian. Jemi në prag të lëvizjes së dhjetorit, tani pas 30 vitesh ka ardhur koha për një angazhim tjetër, që jo më me shprehjen ‘ta duam’, por ‘ta bëjmë Shqipërinë si Europa’.
Besoj se të gjithë bashkë do t’ia dalim për të rikthyer shpresën për vendin tonë e për këtë na ndihmon sakrifica e heronjve tanë.” u shpreh Meta.