SPORT, 20 August 2026, 15:38

Klubit të Serisë A i dëmtohet kapiteni, nisin bisedimet me mesfushorin e Kombëtares shqiptare

Kristjan Asllani mund të largohet sërish nga Interi, teksa Monza ka nisur kontaktet e para me klubin zikaltër për mesfushorin shqiptar. Interesi i klubit brianzol vjen pas dëmtimit të kapitenit Mateo Pesina, i cili pritet të mungojë rreth tre muaj.

Asllani shihet si një alternativë për mesfushën dhe një profil që mund t’i përshtatet ideve të trajnerit Ivan Juriç. Mes dy klubeve nuk ka ende një marrëveshje, ndërsa bisedimet janë në fazat fillestare. Interi është i gatshëm të vlerësojë ofertat për Asllanin, pasi shqiptari nuk bën pjesë në planet e klubit për sezonin e ri. I transferuar te Interi nga Empoli me pritshmëritë për t’u shndërruar në pasuesin e Hakan Calhanoglu, Asllani nuk arriti të sigurojë një rol të rëndësishëm në skuadrën zikaltër.

Sezonin e kaluar ai luajti fillimisht në huazim te Torino dhe më pas te Besiktas, ku zhvilloi 14 ndeshje në kampionat, me dy gola dhe dy asistime. Sipas Fabrizio Romanos, pista Monza ekziston, por nuk është ende një tratativë e avancuar.

E ardhmja e Asllanit pritet të vendoset në ditët e fundit të merkatos, me mesfushorin shqiptar që kërkon një skuadër ku të ketë më shumë hapësira dhe të rikthehet protagonist në Serie A. Nëse marrëveshja me Monzën konkretizohet, Asllani do të kishte mundësinë të nisë një kapitull të ri në Itali, ndërsa Interi do të zgjidhte përfundimisht situatën e tij.