TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sulmet e protestuesve në kryeqytet kanë dhënë efektet e tyre të para për qytetarët. Shërbimi i transportit publik në Tiranë e Kamëz është pezulluar deri në një moment të dytë që do të sjellë normalizimin e situatës.
Të gjitha bankat në Tiranë janë mbyllur këtë të enjte (15 tetor), pas sulmeve dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së një dite më parë në kryeqytet. Klientët janë njoftuar për mbylljen përmes rrjeteve sociale.
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dënuar sulmet ndaj institucioneve financiare, duke kërkuar nga autoritetet marrjen e masave për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe klientëve, si dhe vijimësinë normale të shërbimeve bankare.
"Shoqata Shqiptare e Bankave dënon sulmet ndaj institucioneve financiare gjatë protestës së 14 tetorit në Tiranë dhe u bën thirrje autoriteteve të marrin masa për të garantuar sigurinë dhe vijimësinë e shërbimeve bankare.
Shoqata u bën thirrje protestuesve të shmangin veprimet e dhunshme, ndërsa kërkon nga institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla.
"AAB u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo veprim të dhunshëm. Institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla dhe garantimin e sigurisë publike. Mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë", thuhet në deklaratë.
AAB i siguron qytetarët marrëdhënia e tyre me bankat mbetet e pacenuar dhe e sigurt, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura. Në deklaratë theksohet gjithashtu se mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë, thuhet në deklaratën për shtyp.
Edhe bizneset janë dëmtuar rëndë gjatë këtyre tri ditëve pasi protestuesit i kanë shënjestruar vazhdimisht duke i shkatërruar, djegur dhe vjedhur. Dhoma e Tregtisë bëri thirrje për distancim të qartë nga dhuna dhe masa të qarta nga policia.
"Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës. Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse", thuhet në deklaratë.
Gjatë protestës së djeshme të paktën 4 degë bankash të nivelit të dytë dhe një institucion financiar u sulmuan dhe u dëmtuan. Grupe protestuesish, kryesisht të maskuar, goditën me gurë dhe sende të forta ambientet e institucioneve financiare, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.





