TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimi për t’u shkëputur nga trafiku i drogës dhe për të nisur një jetë të re me një punë të rregullt i kushtoi gati jetën një 25-vjeçari shqiptar në Itali.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, i riu u qëllua me armë pasi refuzoi të vazhdonte aktivitetin kriminal me grupin ku kishte bërë pjesë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 1 korrikut në Mirano, pranë Venecias. Sipas Prokurorisë italiane, 25-vjeçari kishte gjetur punë në kantierë ndërtimi në Venecia dhe kishte vendosur të largohej përfundimisht nga shitja e drogës.
Ky vendim, sipas hetuesve, shkaktoi përplasjen me organizatën kriminale, e cila fillimisht ushtroi presion ndaj tij dhe më pas organizoi një sulm të drejtpërdrejtë.
Hetimet kanë zbuluar se ky nuk ishte episodi i parë ku i riu ishte vënë në shënjestër. Mes fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit, persona të armatosur kishin qëlluar ndaj tij dhe të dashurës së tij.
Për t’u shpëtuar plumbave, çifti ishte strehuar në rulotën ku jetonte, e cila ndodhej në pronën e babait të vajzës.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet, mbrëmjen e 1 korrikut 25-vjeçari u përball në rrugë me dy shqiptarë, Luigj Makaj, 44 vjeç, dhe Armiol Gjoka, 40 vjeç, i njohur me nofkën “Molli”.
Hetuesit dyshojnë se Makaj ishte organizatori i atentatit, ndërsa Gjoka personi që ka hapur zjarr.
Kur i kërkuan të ndalonte për të biseduar, i riu u largua me vrap. Ai u ndoq nga autorët dhe u qëllua nga një distancë e afërt, me plumbin që e goditi në zonën mes qafës dhe shpatullës.
Sipas hetimeve, ndërsa 25-vjeçari ndodhej i plagosur në tokë, njëri prej autorëve i ka drejtuar armën në kokë. Dy personat janë larguar vetëm pasi në vendngjarje janë thirrur shërbimet e emergjencës.
Pas një muaji në arrati, karabinierët italianë arrestuan të dy shqiptarët gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit.
Hetimi u mbështet në përgjime, ndjekje të personave të dyshuar, si dhe analizimin e komunikimeve telefonike dhe atyre në rrjetet sociale.
Dy të arrestuarit akuzohen për tentativë vrasjeje dhe, me urdhër të Prokurorisë, janë dërguar në dy burgje të ndryshme. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.