TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Platformat online të punësimit janë kthyer në një nga mënyrat kryesore për të kërkuar një vend pune. Çdo ditë publikohen dhjetëra njoftime për pozicione të lira, ndërsa numri i aplikimeve nga kandidatët është në rritje. Megjithatë, një nga shqetësimet më të shpeshta të punëkërkuesve mbetet mungesa e një përgjigjeje pas dërgimit të CV-së. Sipas ekspertëve të punësimit, në treg po vihet re edhe fenomeni i publikimit të njoftimeve për vende pune që nuk përkthehen domosdoshmërisht në pozicione reale të lira.
“Duket sikur është shndërruar në një trend kohët e fundit që shumë kompani, qofshin vendase apo të huaja, publikojnë vazhdimisht vende pune. Ndonjëherë krijohet përshtypja se ka mijëra pozicione të lira dhe shumë kandidatë aplikojnë për to, por në realitet këto vende pune nuk ekzistojnë. Mesa duket, kjo praktikë përdoret nga vetë kompanitë dhe departamentet e tyre të burimeve njerëzore për të krijuar idenë se kompania është në rritje dhe ka vazhdimisht vende të hapura pune.
Kjo ndikon drejtpërdrejt te punëkërkuesit. Ata aplikojnë gjithnjë e më shumë përmes platformave online, si LinkedIn, Indeed apo platformave të tjera, të cilat u japin mundësinë të aplikojnë edhe për disa pozicione brenda një dite. Megjithatë, në fund nuk marrin pothuajse asnjë përgjigje.
Pse ndodh kjo? Së pari, pozicioni mund të jetë plotësuar tashmë dhe publikimi i njoftimit të jetë thjesht pjesë e procedurës së kompanisë, ndërkohë që kandidati është përzgjedhur, shpesh edhe nga stafi ekzistues. Në raste të tjera, pozicionet plotësohen përmes procedurave të tjera të rekrutimit dhe jo përmes intervistave të hapura.
Ndikimi te punëkërkuesit është i drejtpërdrejtë, pasi ul moralin. Nëse aplikon në 10 vende pune brenda një muaji dhe nuk merr përgjigje nga asnjë prej tyre, motivimi bie ndjeshëm. Fatkeqësisht, kjo është një dukuri që haset vazhdimisht në Shqipëri dhe përbën një fenomen shqetësues”, tha Gertjana Hasalla, eksperte e punësimit. Procesi i rekrutimit mbetet një tjetër sfidë, veçanërisht kur kompanitë marrin një numër të lartë aplikimesh për të njëjtin pozicion. Megjithatë, Hasalla thekson se kompanitë duhet t'u kthejnë përgjigje kandidatëve për të shmangur pritjet e gjata dhe pasigurinë.
“Për të njëjtin pozicion mund të paraqiten 100 apo edhe 200 aplikime nga kandidatë të ndryshëm. Në disa raste, kandidatët nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar as për t'u ftuar në intervistë. Megjithatë, një kompani serioze duhet të ketë një sistem që u kthen përgjigje edhe atyre që nuk përzgjidhen. Kur aplikojmë për një vend pune, presim të paktën një konfirmim se aplikimi ynë është marrë. Më pas, presim të informohemi nëse ai është shqyrtuar dhe nuk është përzgjedhur, sipas kritereve të kompanisë. Pra, duhet të ketë gjithmonë një përgjigje nga punëdhënësi”, sqaroi Hasalla.
Në një kohë kur kërkimi për punë po zhvendoset gjithnjë e më shumë në platformat online, sfida mbetet jo vetëm gjetja e vendeve të punës, por edhe krijimi i një komunikimi më të drejtë, më transparent dhe më profesional mes kompanive dhe kandidatëve.