AKTUALITET, 29 July 2026, 17:28

Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Vietnamin për punësimin e qytetarëve vietnamezë

Shqipëria dhe Vietnami kanë hedhur një hap të ri në bashkëpunimin për tregun e punës. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe zëvendësministri i Brendshëm i Republikës Socialiste të Vietnamit, Vũ Chiến Thắng, nënshkruan në Vietnam Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e punësimit.

Marrëveshja krijon një kuadër institucional për rekrutimin dhe punësimin e qytetarëve vietnamezë në Shqipëri, duke synuar plotësimin e nevojave të tregut vendas për fuqi punëtore.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse të të dy vendeve. Memorandumi parashikon bashkëpunim në identifikimin e nevojave të tregut të punës, përzgjedhjen, përgatitjen, rekrutimin dhe punësimin e punonjësve vietnamezë, në përputhje me legjislacionin e të dy shteteve dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj u shpreh se ekonomia shqiptare po vijon një fazë zhvillimi të qëndrueshëm, e nxitur nga turizmi, investimet private dhe zgjerimi i aktivitetit ekonomik në sektorë strategjikë.

“Shqipëria po përjeton një fazë të rëndësishme zhvillimi ekonomik, e cila ka rritur ndjeshëm kërkesën për fuqi punëtore në sektorë kyç të ekonomisë. Memorandumi që nënshkruam sot me Vietnamin është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kanaleve të rregullta, të sigurta dhe transparente për plotësimin e këtyre nevojave, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe interesin e biznesit shqiptar”, deklaroi Ibrahimaj.

Në vijim të marrëveshjes do të hartohet një plan i përbashkët veprimi, i cili do të përcaktojë procedurat e rekrutimit, standardet e trajnimit, mekanizmat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mënyrën e monitorimit të zbatimit të saj.

Gjatë takimeve u diskutua gjithashtu organizimi i një Forumi Ekonomik dhe të Punësimit Shqipëri–Vietnam, i cili do të shërbejë si platformë bashkëpunimi mes institucioneve dhe bizneseve të të dy vendeve, duke lehtësuar kontaktet direkte mes punëdhënësve shqiptarë dhe partnerëve vietnamezë.

Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe në adresimin e mungesës së fuqisë punëtore në disa sektorë të ekonomisë shqiptare.