BALLKAN, 2 November 2026, 16:21

Identitete për 2 dollarë, brenda tregjeve ilegale të drejtuara nga Ballkani

Identitete për 2 dollarë, brenda tregjeve ilegale të drejtuara

Të dhëna të vjedhura që mund të përdoren për mashtrime në anën tjetër të botës, shiteshin për vite në tregje të drejtuara nga persona nga Ballkani. Rastet e zbuluara në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut flasin për mijëra shitblerës dhe ndërmjetës që mundësojnë tregtinë. Sipas ekspertëve, mundësia për fitim dhe vështirësitë e ndjekjes penale e bëjnë këtë veprimtari tërheqëse, ndërsa mbyllja e një tregu nuk e ndal domosdoshmërisht tregtinë.

Në tregjet online të të dhënave, të drejtuara nga persona nga Ballkani, mallrat e blera nuk dërgoheshin me postë dhe pagesat nuk bëheshin me dollarë apo euro.

Në këto uebfaqe, mijëra njerëz krijonin llogari dhe depozitonin kriptovaluta për të blerë paketa të dhënash personale të vjedhura.

Këto paketa përmbanin nga emra, adresa e numra telefoni deri te të dhënat bankare dhe ato për hyrje në llogari në uebsajte të ndryshme me abonim.

Një nga këto tregje quhej OLVX.

Për administrimin e tij, në tetor, është arrestuar një 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Madhe e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Arrestimit i parapriu një hetim i përbashkët i autoriteteve lokale dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) amerikane. Sipas FBI-së, gjatë viteve 2023–2025, në këtë platformë, kishte më shumë se 1.500 llogari që shitnin të dhëna të vjedhura.

Arrestimi i të riut në Maqedoni të Veriut erdhi afro dy vjet pas arrestimit në Kosovë të dy vëllezërve, Ardit dhe Jetmir Kutleshi.

Ata drejtonin Rydox-in, një tjetër treg ilegal që shiste të dhëna të vjedhura dhe softuere për të kryer mashtrime online. Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri si bashkëpunëtor i vëllezërve Kutleshi.

Rydox-i funksionoi nga viti 2016 deri më 2024. Sipas FBI-së, përmes tij u kryen mbi 7.600 transaksione, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë i vlerëson të ardhurat në të paktën 232.000 dollarë. Të dy vëllezërit pranuan fajësinë para drejtësisë amerikane. Njëri u dënua, ndërsa tjetri e pret dënimin.

Tregu Rydox administrohej nga tre shtetas kosovarë, por Prokuroria Speciale e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga hetimi për këtë rast “nuk është siguruar ndonjë dëshmi që të jetë dëmtuar ndonjë qytetar i Kosovës”.

Sipas autoriteteve amerikane, në të dyja rastet viktima ishin qytetarë amerikanë, të cilëve u ishin vjedhur dhe shitur të dhënat personale.

Autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Radios Evropa e Lirëtë dhëna në lidhje me rastet e hetuara specifikisht për vjedhjen e të dhënave dhe ndjekjen penale të tyre.

Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut i thanë REL-it se raportimet për mashtrime kompjuterike janë rritur nga 12 në vitin 2022 në 79 në vitin 2025, më shumë se gjashtëfish.

Megjithatë, rasti i Rydox dhe arrestimi i të riut nga Maqedonia e Veriut ngrenë pyetje për shtrirjen e krimit kibernetik në Ballkanin Perëndimor: si sigurohen të dhënat personale, si përfundojnë në shitje online dhe çfarë ua mundëson këtyre tregjeve ilegale të funksionojnë?

Si funksionon tregtia?
Thomas Holt, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, shpjegon se këto tregje furnizohen kryesisht nga rrjedhje të të dhënave në përmasa të ndryshme, të shkaktuara nga sulme hakerësh, përfshirë ato që kryhen me ndihmën e softuerëve të specializuar.

Holt studion hakimin dhe organizimin e tregjeve kriminale online, si dhe drejton qendrën e universitetit për hulumtimin e krimit kibernetik dhe trajnime.

“Pasi informacioni sigurohet, ai shitet. Dhe kjo shpesh bëhet përmes ndërmjetësve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Holt sqaron se administratorët e këtyre tregjeve nuk janë domosdoshmërisht edhe shitës apo blerës të të dhënave.

Një mënyrë tjetër për të siguruar të dhëna për këto tregje është mashtrimi i vetë përdoruesit.

Instituti Kombëtar amerikan i Standardeve dhe Teknologjisë, NIST, shpjegon se mesazhet mashtruese, të njohura si “phishing”, mund të duken sikur vijnë nga banka.

Përmes tyre, marrësi nxitet të hapë një faqe të rreme dhe të shkruajë emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin. Kështu, pa e kuptuar, ia dorëzon këto të dhëna sulmuesit. Mesazhe të tilla mund ta nxisin përdoruesin edhe të shkarkojë programe që vjedhin të dhëna nga pajisja e tij.

Në muajt e fundit, në Kosovë janë raportuar mashtrime përmes SMS-ve të rremë në emër të bankave, që synojnë vjedhjen e të dhënave dhe parave të qytetarëve.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, mesazhet e rreme përmes SMS-ve dhe postës elektronike janë ndër format më të përhapura të mashtrimit, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi. Ministria përmend gjithashtu vjedhjen e të dhënave bankare, mashtrimet me investime në kriptovaluta dhe përdorimin e videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale, të njohura si “deepfake”.

Sipas NIST-it, përdorimi i të njëjtit fjalëkalim në disa llogari e shton rrezikun: nëse ai zbulohet në njërën prej tyre, mund të përdoret për të hyrë edhe në të tjerat.

Holt paralajmëron se dokumentet personale të publikuara në rrjete sociale mund të përdoren nga të tjerët për mashtrime në emër të personit që u përkasin. Ai e krahason këtë publikim me shfaqjen e pasaportës apo patentë-shoferit para të tjerëve në një bar apo kafene.

“Por, për çfarëdo arsye, disa njerëz mendojnë se është në rregull ta bëjnë këtë në internet”, thotë ai.

Një pjesë e furnizimit të këtyre tregjeve vjen edhe nga programe që vjedhin automatikisht informacion nga pajisjet, të njohura si “infostealers” apo vjedhës të të dhënave.

KELA, kompani e specializuar në mbledhjen dhe analizimin e informacionit për kërcënimet kibernetike, gjatë vitit 2024 identifikoi mbi 4,3 milionë pajisje të infektuara dhe mbi 330 milionë të dhëna të komprometuara për hyrje në llogari. Gjetjet i publikoi në prill 2025, në raportin “Brenda epidemisë së programeve që vjedhin të dhëna”.

Pavarësisht vështirësive për ta matur në formë të strukturuar tregtinë ilegale të të dhënave, sipas ekspertëve, mënyra si organizohet kjo tregti ka ngjashmëri me bizneset e zakonshme online.

“Shumica e tregjeve të të dhënave aktualisht funksionojnë si çdo platformë tjetër e tregtisë elektronike”, thotë Holt për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, aty ofrohet zbritje për klientët e rregullt, ka komente nga blerësit dhe ndërmjetës që mund ta mbajnë pagesën deri në përfundimin e marrëveshjes. Meqë veprimtaria është ilegale, pjesëmarrësit kanë nevojë të ndërtojnë besim brenda rrjetit.

“Në përgjithësi, besimi ndërtohet duke krijuar një reputacion rreth emrit tuaj të përdoruesit ose pseudonimit”, shpjegon Holt.

Megjithëse kjo tregti e paligjshme shpesh lidhet me pjesët e fshehura të internetit, të njohura si dark web, sipas Holt, për të hyrë në këto tregje nuk nevojitet gjithmonë qasje në rrjete të fshehta. Shumë të dhëna personale ofrohen edhe në uebsajte të zakonshme.

David Maimon, profesor i drejtësisë penale dhe kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias dhe drejtues i kompanisë për siguri kibernetike, SentiLink, pajtohet se tregtia nuk zhvillohet vetëm në anën e fshehur të internetit. Sipas tij, tregjet si këto të Ballkanit ishin të qasshme në internetin e zakonshëm, të njohur si “clearnet”.

Maimon studion tregjet ilegale dhe përpjekjet për t’i përdorur identitetet e vjedhura në institucione financiare duke përfshirë ato sikurse Rydox-in dhe OLVX-in, që sipas tij ishin tregje “të vogla dhe të lira”

“Ato ofronin identitete për shitje nga 2 deri në 20 dollarë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Me “identitet” ai nënkupton një paketë informacionesh për një person: emri, datëlindja dhe numri i sigurimit shoqëror, që përdoret për identifikim në SHBA. Çmimi ndryshon nëse përfshihen edhe të dhëna të patentë-shoferit apo historisë kreditore. Vlera për blerësin qëndron te mundësia për ta përdorur informacionin më tej.

“Ata përpiqen t’i përdorin identitetet tona për të krijuar biznese dhe pastaj për të aplikuar për karta të reja krediti ose kredi të reja”, shpjegon Maimon.

Ai përshkruan raste kur mashtruesit hapin llogari bankare me identitete të vjedhura. Fillimisht bëjnë pagesa të zakonshme për të krijuar besueshmëri mbi aktivitetin e tyre. Pastaj kërkojnë kredi dhe largohen me paratë. Por blerja nuk garanton sukses.

“Fakti që identiteti është ofruar për shitje në këtë treg dhe dikush madje e ka blerë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se dikush ka arritur ta përdorë me sukses”, thekson ai. Kjo, sipas Maimonit, e vështirëson edhe llogaritjen e dëmeve financiare nga kjo industri.

Deri më tani, sipas ekspertëve, nuk janë bërë analiza të detajuara se kush janë viktimat më të mëdha të rrjedhjes së të dhënave nga e gjithë bota. Megjithatë, në tregjet e analizuara nga NordVPN, kompani e njohur që ofron shërbimin e rrjetit privat virtual (VPN), shumica e paketave të plota të identitetit vijnë nga SHBA-ja.

Nga vjedhja te shitja, një zinxhir ndërkombëtar
Mundësia për të fituar para dhe perceptimi se ligji nuk zbatohet sa duhet e bëjnë tregtinë e të dhënave të vjedhura tërheqëse edhe për persona nga Ballkani, sidomos të rinjtë, sipas Alex Holden.

Holden është ekspert i sigurisë kibernetike me bazë në SHBA dhe themelues i kompanisë Hold Security, i specializuar në hulumtimin e rrjeteve kriminale dhe tregjeve të të dhënave të vjedhura.

Ai shpjegon se gjuha e përbashkët, afërsia kulturore dhe njohjet personale ndihmojnë në krijimin e komuniteteve lokale të krimit kibernetik. Me kalimin e kohës, këto komunitete mund të krijojnë lidhje përtej kufijve dhe ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre ndërkombëtarisht.

“Kjo është arsyeja pse shohim shumë shembuj të krimit kibernetik nga rajoni i Ballkanit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Vështirësitë në luftimin e kësaj veprimtarie i thekson edhe Holt.

Ai shpjegon se shtetet me burime të kufizuara hetimore “mund të mos u kushtojnë shumë vëmendje tregjeve të të dhënave të vjedhura dhe, në vend të kësaj, të përqendrohen në probleme të tjera”.

Në një analizë për Evropën Juglindore, të publikuar në gusht 2024, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC) evidentonte mungesë burimesh dhe ekspertize te vendet e Evropës Juglindore për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit kibernetik, çka i bën më të cenueshme.

Pagesat me kriptovaluta i ndëlikojnë hetimet e këtyre krimeve online. Në Ballkanin Perëndimor, hetimet vështirësohen edhe nga mungesa e ekspertizës dhe e procedurave të qarta për trajtimin e rasteve që përfshijnë kriptovaluta, sipas GI-TOC-ut.

Rastet e zbuluara në Evropë tregojnë se kjo tregti shtrihet përtej platformave të lidhura me Ballkanin.

Në janar 2025, një operacion ndërkombëtar mbylli Cracked dhe Nulled, dy prej forumeve më të mëdha të krimit kibernetik në botë, me administratorë të dyshuar që jetonin edhe në Gjermani e Spanjë.

Sipas raportit të Europoli-t në vitin 2025, këto dy tregje kishin miliona përdorues dhe po aq fitime vjetore. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se veprimtaria e Cracked kishte prekur të paktën 17 milionë viktima në SHBA.

Europol-i sqaron se raporti mbulon pjesën e veprimtarisë së dukshme për hetuesit, pasi shumë transaksione zhvillohen në kanale të mbyllura komunikimi. Brenda këtij zinxhiri, sipas ekspertëve, pjesëmarrësit kryejnë punë të ndryshme dhe jo të gjithë merren me vjedhjen apo keqpërdorimin e të dhënave.

“Disa prej tyre janë thjesht shitës të shkëlqyer dhe promovojnë mallrat ose shërbimet e tyre, ose i drejtojnë këto komunitete nga aspekti i komunikimit”, thotë Holden.

Por, vështirësitë në luftimin e kësaj tregtie nuk përfundojnë me mbylljen e tregjeve ilegale. Për të dhënat që tashmë janë vjedhur, mbyllja e një tregu nuk e përfundon domosdoshmërisht qarkullimin.

Raporti i vitit 2026 i Europol-it për krimin e organizuar në internet, jetëgjatësia mesatare e tregjeve kriminale është shkurtuar, ndërsa veprimet ndërkombëtare policore i kanë bërë administratorët “më të prirur të shmangin rreziqet”.

Megjithatë, pas ndërhyrjeve, përdoruesit zhvendosen në tregje të tjera. Raporti evidenton gjithashtu kalimin nga forume të mëdha drejt komuniteteve më të vogla, ku hyrja bëhet vetëm me ftesë.

“Në shumicën e rasteve, tregjet shumë të njohura vazhdojnë të ekzistojnë në forma të ndryshme edhe pas mbylljes”, thotë Holden.

Ndërkaq për viktimën, shpjegon Maimon, rreziku i keqpërdorimit të identitetit është i vazhdueshëm.

“Nëse identiteti juaj është ofruar për shitje, mos mendoni se, nëse dikush e ka shitur një herë, kaq ishte”, thotë ai./ REL