TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pa dyshim se imazhi i Kosovës është dëmtuar, por edhe shteti si i tillë mund të luhatet pas verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë, më 16.09.2026.
Titujt bombastikë të mediave ndërkombëtare nxjerrin në pah aktin e gjykimit të figurës kryesore të padisë: ish-presidentit të Kosovës, duke mos hezituar të ilustrojnë storiet e tyre. Këto tabloide krijojnë një perceptim publik, i cili më pas hidhet në tavolinat politike dhe të politikëbërësve.
Shtetet të cilat e sfidojnë ekzistencën e Kosovës tashmë kanë një argument të fuqishëm në duar për të nisur fushata të çnjohjes dhe për të minuar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe platforma ndërkombëtare.
Rrjeti diplomatik i Kosovës do të duhej të angazhohej në të gjitha gjeografitë e globit për të mbajtur dinamikën e komunikimit me shtetet njohëse dhe për të identifikuar sinjale për çnjohje eventuale, të cilat duhet të evitohen.
Një hap me rëndësi që do të duhej ndërmarrë, mendoj se, në rrafshin e brendshëm, është krijimi i një ambienti të konsensusit politik përmes instalimit të një tryeze politike të të gjithë spektrit politik, në baza të rregullta, për koordinimin e veprimeve.
Ndërsa, në rrafshin ndërkombëtar, do të duhej të rikthehej koordinimi me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, për të diskutuar dhe koordinuar jetëgjatësinë e Gjykatës Speciale, ashtu siç është rënë dakord për formimin e saj. Një dakordim për kohën se kur do të përfundojnë punimet e Gjykatës Speciale, apo, për arsye teknike dhe financiare, që ato të barten në Kosovë.
Në marrëveshje me Quintin, Kosova duhet sa më shpejt të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si masë preventive për trajtimin e rasteve si ky i 16 shtatorit.
Në aspektin gjyqësor-juridik, verdikti do të atakohet në Apel, si përpjekje për të rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Në ndërkohë, mendoj se janë dy pista mbi të cilat Gjykata Speciale, gjegjësisht gjykatësit, do të mund të ndikojnë në ngritjen e përgjegjësisë profesionale dhe institucionale.
Në aspektin institucional, Kuvendi, si themelues i kësaj gjykate, duhet të rikthejë autoritetin e monitorimit apo kontrollit. Në këtë aspekt, Kuvendi mund të kërkojë raportime për shpenzimet e Gjykatës Speciale: Cila është përbërja e personelit? Kush e financon atë? Sa është kostoja? Sa njerëz punojnë aty? Si i interpreton kjo gjykatë ligjet që thonë – apo që duket se thonë – se serbët mund të ndiqen penalisht prej saj? Dhe, nëse po, pse nuk ka pasur serbë të akuzuar dhe të gjykuar në këtë gjykatë, duke marrë parasysh se shumica dërrmuese e krimeve të luftës gjatë atij konflikti janë kryer nga Beogradi?
Pista e dytë është koordinimi me Uashingtonin, Londrën, Parisin, Berlinin dhe Romën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, duke i plotësuar përgjegjësitë ndërkombëtare që janë vendosur si kusht dhe që Kosova kishte dështuar t’i plotësonte.
Me këto veprime diplomatike, mendoj se prokurorët dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale do të ishin të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për të funksionuar në kuadrin ligjor, kushtetues, politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, qofshin ata profesionistë nga provinienca të ndryshme kulturore-juridike.
Shtrohet pyetja logjike: A e shfuqizon pushimi i funksionimit të Gjykatës Speciale aktgjykimet e saj?