TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një mesazh i shkurtër, i ftohtë dhe burokratik, ku njoftohej se llogaritë e kompanisë ishin bllokuar mbi bazën e një vendimi të SPAK-ut për sekuestro preventive. Në pak rreshta përfundonte një histori trevjeçare negociatash, blerjesh, studimesh, autorizimesh, konsulence ndërkombëtare dhe investimesh të kryera mbi dokumente të njohura nga vetë shteti shqiptar.
Për bankën ishte një procedurë. Për Prokurorinë ishte një vendim. Për investitorin ishte një alarm.
Ndërsa për Shqipërinë mund të shndërrohet në një problem shumë më të madh se sa vetë dosja që po hetohet.
Një prej kompanive më të mëdha që qëndron pas investimit të shumëpërfolur në jug të Shqipërisë nuk e mori lajmin nga mediat shqiptare, nuk e mori as nga një konferencë shtypi dhe as nga një deklaratë politike e Kryeministrit. E mori nga banka.
Askush nuk duhet dhe nuk po diskuton të drejtën e Prokurorisë për të hetuar. Askush nuk po kërkon që shteti të mbyllë sytë ndaj çdo dyshimi për pronat, procedurat apo dokumentacionin. Përkundrazi. Një shtet serioz duhet të hetojë dhe një Prokurori serioze duhet të verifikojë çdo pretendim.
Por një shtet serioz ka edhe një detyrim tjetër, ndoshta po aq të rëndësishëm sa hetimi vetë. Ka detyrimin të kuptojë pasojat e veprimeve të veta mbi reputacionin e vendit, mbi sigurinë juridike dhe mbi besimin që investitorët kanë ndërtuar ndaj institucioneve të tij.
Kjo është arsyeja pse pyetja nuk është çfarë po heton SPAK-u. Pyetja është pse ky veprim po ndodh tani.
Sepse toka nuk u ble dje. Kompanitë nuk hynë dje në Shqipëri. Dokumentet nuk u prodhuan dje. Certifikatat nuk u lëshuan dje. Pronat nuk u regjistruan dje. Për tre vjet me radhë shteti shqiptar ka qenë i pranishëm në çdo hallkë të këtij procesi.
Institucionet shqiptare kanë njohur dokumente, kanë njohur pronësi, kanë njohur transaksione dhe kanë krijuar një ambient juridik mbi të cilin investitorët kanë ndërtuar vendimet e tyre financiare. Nëse ekzistojnë probleme, ato duhet të zbulohen dhe trajtohen. Por problemi që lind sot është se shteti po duket sikur po zbulon për herë të parë një histori që ka tre vjet që zhvillohet para syve të tij.
Në botën e investimeve kjo nuk lexohet si forcë e ligjit. Kjo lexohet si pasiguri. Dhe pasiguria është fjala që investitorët e urrejnë më shumë. Ata nuk largohen nga protestat. Në Gjermani ambientalistët ngritën kampe kundër zgjerimit të fabrikës së Tesla-s pranë Berlinit. Në Norvegji komunitetet lokale protestuan kundër digave dhe projekteve minerare. Në Francë, Itali dhe Holandë protestat kundër projekteve të mëdha janë pjesë normale e jetës demokratike. Investitorët i llogarisin këto në planin e biznesit. Ajo që nuk llogarisin është që shteti, pas viteve të tëra procedurash dhe garancish, të dërgojë sinjale kontradiktore mbi vetë bazën juridike mbi të cilën ata kanë investuar.
Prandaj problemi nuk është vetëm juridik. Problemi është shtetëror. Sepse ndërsa një prokuror sheh një dosje, një fond investimi sheh një vend. Ndërsa një prokuror sheh një procedurë, një investitor sheh një sistem. Ndërsa një prokuror mendon për një hetim, investitori mendon për sigurinë e kapitalit të tij. Dhe në këtë pikë fillon dëmi i vërtetë. Jo dëmi që matet me llogari bankare të bllokuara. Jo dëmi që matet me kostot e avokatëve. Por dëmi që matet me pyetjen që nesër do të bëhet në Doha, në Abu Dhabi, në Londër, në New York apo në Singapor, kur dikush të shqyrtojë mundësinë për të investuar në Shqipëri dhe të pyesë nëse rregullat e lojës mbeten të njëjta edhe pasi investimi është bërë.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë histori është se Shqipëria nuk ndodhet në luksin e vendeve që mund të shpërfillin investimet e mëdha. Për dekada me radhë ky vend ka luftuar të bindë botën se është një destinacion serioz. Ka investuar energji politike, diplomatike dhe institucionale për të krijuar besim. Ka dërguar kryeministra, ministra dhe delegacione në çdo forum të mundshëm për të shpjeguar se Shqipëria nuk është më vendi i pasigurive të dikurshme.
Dhe pikërisht në momentin kur disa prej investimeve më të mëdha të imagjinuara ndonjëherë për vendin po shqyrtojnë seriozisht Shqipërinë, një prokurori që duhej të ishte gardiane e ligjit rrezikon të shndërrohet në një zjarrfikëse të vonuar, që mbërrin në vendngjarje pasi gjithçka ka ndodhur dhe duke tentuar të shuajë një problem krijon një zjarr shumë më të madh.
Sepse shteti ka të drejtë të hetojë. Por nuk ka të drejtë të sillet sikur reputacioni i vendit nuk ka vlerë. Shteti ka të drejtë të kontrollojë. Por nuk ka të drejtë të harrojë se përballë tij nuk ka vetëm një dosje, por edhe emrin e Shqipërisë. Dhe në fund të fundit, nëse rezulton se ka pasur probleme me pronat, me dokumentet apo me procedurat, ato duhet të korrigjohen dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
Por nëse për ta bërë këtë shkatërrohet besimi i investitorëve në vetë shtetin që i ftoi të vijnë, atëherë humbja nuk është e kompanisë. Humbja është e Shqipërisë. Dhe ajo humbje mund të rezultojë shumë më e madhe se sa çdo parcelë toke, shumë më e madhe se sa çdo proces penal dhe shumë më e madhe se sa çdo fitore e përkohshme burokratike që sot mund të duket si triumf.