TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dy bashkëprotagonistët e opozitës humbëse të 14 majit, Sali Berisha, 78 vjeç dhe Belind Këlliçi, 36 vjeç, dolën njëri pas tjetrit sot në komunikim me publikun për të thënë të njëjtën gjë: humbën sepse patën përballë shtetin e bandave dhe bandat e pushtetit që ua morën votat e fitores dhe të përmbysjes së madhe në Shqipëri e në kryeqytetin e vendit.
Ndërsa Berisha foli për një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, që sipas tij u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava, Këlliçi u shpreh se rezultati në Tiranë, ku ai mori mbi 58 mijë vota më pak se fituesi Erion Veliaj, u ndikua nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve, ndërsa asetet publike u vunë në dispozicion dhe u shfrytëzuan në maksimum për të dhënë rezultatin e 14 majit 2023, që është ndër më disfatistët për zgjedhjet vendore në Shqipëri për selinë blu.
Të dy fajësuan pushtetin e Ramës që si paarardhësi i tij Berisha vendosi në funksion të zgjedhjeve administrative tërë financat e makinerisë shtetërore, kleçkat dhe kulisat ligjore për ta zhbërë opozitën, administratën e nënshtruar dhe familjarët e tyre të shantazhuar si dhe bandat. Por që të dy nuk morën përsipër asnjë gabim. I pari Sali Berisha që duhet të kishte dhënë shembullin personal të tërheqjes pas disfatës, duke bërë atë që e duartrokitën 10 vite më parë pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013 dhe që sot qëndroi stoik, më shëmtuar se Lulzim Basha pas të gjitha dështimeve zgjedhore.
Koalicioni "Bashkë Fitojmë" kërkoi të marrë pushtetin vendor pa ofertë politike. Prej janarit 2023, patën mjaft kohë për të hartuar një program politik për qeverisjen vendore, që është shndërruar në oborrin e pasëm të qeverisë, pa autonomi vendore dhe pa vetëqeverisje, sepse nuk gjeneron fonde dhe është në mëshirë të fondeve qeveritare, nuk ofruan një model ndryshe, shpëtimtar dhe frymëmarrës për 61 bashkitë e vendit.
Ata kërkuan të fitojnë që të vazhdonin bashkëpunimin me të njëjtët oligarkë që janë në oborrin e qeverisë dhe nuk patën guximin as t’u përmendnin emrin.
Kandidati i Tiranës e katandisi projektin e tij për Tiranën vetëm te autobusi falas dhe 200 metrat e nënkalimit, duke injoruar problemet themelore të kryeqytetit, që nisin nga fakti që kryebashkiaku është yes-man i kryeministrit dhe bashkëpunon në çdo atentat njerëzor, ekonomik, financiar dhe mjedisor që i është bërë shtëpisë së mbi 1 milion banorëve në këto 2 mandate të Veliajt, edhe pse sot ai u shpreh krenar se: “Gjatë fushatës sime ja dola të bëj transparencë për punët publike të Bashkisë Tiranë, për bilancin real të saj, për abuzimin dhe vjedhjen e përditshme të taksave, keqpërdorimin e pushtetit si dhe nxorra në publik disa afera tronditëse”.
Heshtja e Këlliçit dhe mungesa e një modeli alternativ, ndryshe nga ky që do të vijojë të paktën edhe për 4 vite të tjera, tregoi se selia blu, kërkoi të ndërronte thjesht administratorin e Tiranës, por jo modelin mafioz të qeverisjes vendore nën diktatin e qeverisë, të oligarkëve dhe pastruesve të parave të pista.
Kandidati i partisë së dytë më të madhe në vend, nuk arriti të kishte as guximin qytetar, politik dhe rinor që të artikulonte as çerekune tezave antisistem që u prezantoi shqiptarëve kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i cili, nuk u foli shqiptarëve mbrapsht, siç bëri Belo për gallatë, por iu drejtua me zemër në dorë, duke vënë gishtin në çdo plagë të kryeqytetit të përdhunuar nga banda politiko-ekonomike qeveri-bashki-oligarki-krim.
Berisha&Këllici u premtuan shqiptarëve se po punojnë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer, duke u kthyer dekada pas në kohë, kur opozita e Berishës çonte një vandak me dosje blu në Bruksel për krimet elektorale të PS-së. Një lëvizje taktike për t’i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies, se, përse në vitin 2023, opozita nuk arriti të frymëzojë dhe të marrë votat e shqiptarëve që më mirë bojkotuan se sa të votonin “ndryshimin” e premtuar nga selia blu. Duke treguar se sot pamë dy Berishë në një derë, njëri 78 dhe tjetri 36 vjeç, që funksionojnë me të njëjtën mendësi që nuk jep asnjë shpresë ndryshimi as për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.