IDE, 6 Maj 2023, 17:00

Vota e shqiptarëve në pazarin e Roskovecit

Vota e shqiptarëve në pazarin e Roskovecit
Majlinda Bufi dhe Edi Rama

Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, është kapur në dy audiopërgjime, duke kërcënuar qytetarët e saj me bindje të djathta dhe u bë nami. Deri më sot ka dalë denoncimi i një sanitareje dhe i një qytetari tjetër që paska pozuar me dy gisht lart, simbol të partisë së Berishës.

Mund të ketë biseda me intimidime të tjera, por kaq kanë dalë dhe sot përfaqësues të opozitës po kërkojnë çregjitrimin e saj nga kandidimi.

Sigurisht që këto janë akte të turpshme dhe të dënueshme, të denja vetëm për shoqëri totalitariste, por duket se në këtë fazë jemi.

Prej kohësh jemi në derexhenë kur nuk duhet të presim dhe të analizojmë audiopërgjime, me përmasat e “pazarit të Roskovecit”. Prej javësh, kryeministri i vendit po e thotë live, në të gjitha ekranet, me krenari dhe egërsi, shoqëruar nga brohoritjet dhe skërmitjet e militantëve trutharë, me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj çdo votuesi të opozitës, por edhe më gjerë, elektoratit gri që ende nuk ka vendosur se kujt t’ia japë votën.

Prej ditës kur e tha në Kamëz, Edi Rama, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, e ka përsëritur si moto të fushatës së vet, në tingujt e tallavasë, refrenin se “nëse kandidatët e koalicionit Meta-Berisha marrin drejtimin e bashkive, nuk do të kenë bashkëpunim me qeverinë”, pra  nuk do t’u japë kokërr leku nga ato që paguajnë të gjithë shqiptarët.

Kryeministri sqaron se demek nuk po bën presion por, sepse, “...Është një mënyrë për t’u thënë drejtpërdrejt njerëzve se këta kandidatë nuk janë aty për zgjidhur hallet e komuniteteve, por janë për të ngritur barrikada nga pushteti qendror dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte”.

Edi Rama, shefi i qeverisë që menaxhon prej gati 10 vitesh pasuritë e Shqipërisë dhe taksat e të gjithë shqiptarëve, të majtë, të djathtë e pa ngjyra, e ka ndarë vendin në të tijin dhe të atyre, duke ndarë edhe paratë që duhet t'u kthejë në shërbime dhe investime taksapaguesit që nuk janë me PS-në, siç bënte dikur Berisha kur ishte në pushtet, duke privuar bashkitë e majta, ndonëse jo në këto përmasa si sot.

Ai e ka nxjerrë votën e shqiptarëve në pazarin e Roskovecit. Nëse ti ia jep atij, ai do të japë punën, bukën, dritën, rrugën, ujin, mirëqenien dhe tallavanë, por nëse ia jep atyre dy burrave të tjerë harroi dhe ngushëllohu me tallavanë e Vullkanit, po e pëlqeve.

Parë në këtë këndvështrim, Majlinda e "pazarit të Roskovecit" ka bërë vetëm detyrën e vartëses së bindur për të siguruar votat e saj për mandat tjetër në atë që ajo e quan çifligun e saj. Ajo vetëm sa ka përcjellë, në përmasa vendore, mesazhin publik të shefit të saj drejtuar të gjithë shqiptarëve, të cilët tashmë, pas 25 viteve në politikë dhe administrim publik, i sheh si bujkrobër të çifligut të vet 28 mijë km katrorë.