IDE, 20 Prill 2023, 10:51

Kërkohet një ministër i brendshëm!

Kërkohet një ministër i brendshëm!

Atentat, vrasje, plagosje, eksploziv, persona në kërkim, ngjarje pa autor e autorë të zhdukur. Këto janë rrethanat dhe atmosfera që mbizotëron në raportimet e lajmeve në përditshmërinë tonë. Gazetarët e kronikës janë njerëzit më të angazhuar dhe më të famshëm të momentit, pasi çdo ditë thuajse se ka ngjarje të rënda kriminale e çdo ditë ata janë në ekrane televizive për të referuar versionet e tyre. Po policia, ku është policia?!

Policia është sot për sot një komunikatë prej letre e cila njofton rëndom rrethana të përgjithshme ngjarjesh të cilat në pjesën më të madhe ose mbesin pa autor, ose autorët mbesin të pakapshëm edhe pse lëvizin brenda këtij territori. Hesht policia, hesht edhe Ministri i Brendshëm sa ndonjëherë duket se nuk kemi fare një titullar të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Ai shfaqet vetëm kur ka ndonjë ceremoni, përvjetor të organizatës së policisë apo takim me strukturat partnere.

Aq shumë i pandjeshëm është roli i ministrit aktual sa duket sikur Shqipëria herën e fundit që ka patur një ministër të brendshëm ishte koha kur këtë detyrë e ushtronte Fatmir Xhafaj. Atëherë policia ishte aktive në goditjen e krimit dhe trafikut të drogës. Mjafton të kujtojmë rastin e kapjes së 614 kg kokainë një sasi rekord jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në botë për të kuptuar se policia ishte në veprim dhe angazhim të plotë me partnerët.

Perceptimi për uniformën e policisë kishte më shumë respekt e besim gjithashtu. Kishte më shumë ndërveprim mes institucioneve dhe njerëz me pushtet kishin filluar të kishin frikë se mund të përballeshin me drejtësinë pasi Xhafaj nuk bënte kompromise mbi dhe ndaj ligjit. Fjalë kishin dalë se ishte çështje kohe kur goditje të fuqishme do të merrnin njerëz të korruptuar në të gjitha anët e kjo mesa duket kishte "rrudhur" shumë buzë brenda politikës. Në këtë moment del në skenë një kombinacion fake me "Babale Gate", që prodhoi një furtunë në gotë për opozitën, e cila mendonte se do të rrëzonte qeverinë me një skandal të stisur, duke implikuar në mënyrë spekulative vëllain e ministrit Xhafaj, por edhe xhelozitë e ligësitë e brendshme në PS, çuan në prishjen e klimës mes ministrit të brendshëm dhe kryeministrit atë kohë. Kujtojmë të gjithë dorëheqjen e Xhafajt pas një sulmi të mirëorganizuar nga shumë faktorët të kombinuar të cilëve mesa duket ai u kishte prishur gjumin përmes ligjit, në intrigat e të cilëve pa dëshirën e tij ishte përfshirë edhe vetë Rama. Dukej një kryeministër i fryrë dhe i përdorur sesa një zgjedhje e tij personale qëndimi ndaj Xhafajt që krijoi standarde në policim. Gjithsesi kryeministri nuk i kurseu lëvdatat publike për kontributin e ministrit të dorëhequr i cili e kishte marrë drejtimin e rendit, pasi kishte vënë në shina aplikimin e reformës në drejtësi si një sukses politik për mazhorancën socialiste, ndërsa drejtonte Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Në fakt lëvdatat e Ramës për Xhafajn ishin një "sixhade e bukur e shtruar" mbi një keqkuptim të madh që ishte fryrë nga të tjerë skuthë brenda pushtetit që nuk e donin mbarëvajtjen e më marrëdhenie të mirë mes Ramës e Xhafajt, ndaj intrigat ishin ndezur për të minuar suksesin e këtij binomi që shihej me smirë brenda klaneve të interesit në mazhorancë. Dora e hekurt e ministrit të preferuar dhe pëlqyer edhe nga amerikanët, jo për servilizmin e tij në raport me ta si partnerë, por për ftohtësinë, korrektësinë dhe dinjitetin si "shërbëtor" i shtetit ndaj ligjit, kishin prodhuar goxha stres brenda klaneve qeveritare. Kështu interesat e tyre konvergonin në një pikë, të largonin me doemos Fatmir Xhafaj si ministër. Dhe kur intrigantët bëhen bashkë suksesi është i garantuar. Rama ra pre e tyre, Xhafaj u largua si ministër. Prej asaj kohe Ministria e Brendshme kaloi në duart e Sandër Lleshit fillimisht një njeri i lidhur shumë me ushtrinë por pa asnjë orientim e njohje për policinë dhe më pas të Bledi Çuçit, që vijon edhe sot të jetë ministër i brendshëm në rolin e një hijeje institucionale. Të dy, si Lleshi dhe Çuçi ndoshta janë njerëz të mirë, por të jesh njeri i mirë e të jesh ministër i mirë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ndoshta jo për fajin e tyre ata u zgjodhën dhe sigurisht vetë pranuan të merrnin përsipër një detyrë që nuk përkon me ta. Kjo pasi me ardhjen e tyre në detyrë krimi krijoi një ekspansion në territor, jo si sasi veprash kriminale, por si mënyrë brutale e kryerjes së tyre. U bë kohë që krimi ka shpalosur agresivitetin e tij arrogant, duke sfiduar ligjin dhe policisë në forma nga më ekstremet.

Dy ditë më parë u vra një adoleshent 20-vjeçar me thikë, ndërsa dje një sipërmarrës. Po të rendësh pas në kohë thuajse nuk ka ditë pa ndodhi të rënda kriminale. Ndërkohë ministri në detyrë hesht sikur këtu vrasja e fundit të jetë regjistruar 10 vjet, e jo 24 orë më parë. Asnjë qëndrim, asnjë përgjegjësi asnjë reagim. Kështu ngjarjet i zënë vendin njëra tjetrës në kohë fare të shkurtër dhe harresa për shkak të mbivendosjes se tyre po krijon një normalitet anormal social. Forca goditëse e policisë në vend që të shtohet ka ardhur duke u dobësuar ose duke u shpërqendruar për shkak të fluksit të madh të krimit. Pas ikjes së Xhafajt, prezenca dhe fuqia e kapelës së policisë së shtetit u zbeh për të mos thënë se ka humbur. Dhe kur policia humbet fuqi dhe territor, atë e merr në zotërim krimi.

Në këta vite, kemi njohur fuqizim të personazheve të botës së errët dhe grupeve të strukturuara kriminale. Kemi parë atentate të denja për filma me personazhe të famshëm mafiozë, kemi mësuar për list pagesa e çmime për vrasje deri në 500 mijë euro. Kemi numëruar të vrarë të fajshëm e kemi vajtuar të vrarë të pafajshëm. Kemi thënë kaq shpesh që policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, për ngjarje që nuk po zbardhen e me gjasë nuk do të zbardhen kurrë. Kemi parë një polici që ndjen pafuqinë e saj të reagimit, të shpërqendruar e të demotivuar. Një polici shpesh edhe të tradhtuar, por edhe të implikuar. Dhe përtej statistikave, ajo që perceptohet dhe duket, është fakti se krimi është në drejtimin e duhur e policia në drejtim të paditur. Dhe kjo sigurisht që në një mënyrë a në një tjetër lidhet me rolin e policisë dhe lidershipin e saj. Atë staturë që ka kreu i ministrisë së brendshme, atë fytyrë merr edhe policia. Nëse në krye të saj vendos një ministër që nuk e njeh policimin, nuk e ka ligjin si portë të parë dhe të fundit për vete dhe enturazhin e tij, jo për ta ditur por për ta zbatuar rreptësisht dhe ekstremisht atë, atëherë natyrshëm krimi do të fitojë terren dhe do të zgjerojë pushtetin e tij.

Ministri i Brendshëm nuk është si të gjithë ministrat e tjerë të qeverisë. Mënyra se si ai drejton, udhëheq institucionin dhe motivon vartësit, lidhet me efektet direkte të punës së policisë në terren, si dhe me efektet dhe autoritetin e shtetit. Lidhet me besimin e qytetarëve te uniforma e përmes saj të ligji. Dhe herën e fundit që shteti kishte një uniformë dinjitoze policie ishte kur këtë dikaster e drejtoi Fatmir Xhafaj. Pas tij ne i njohim ata që janë ulur në kolltukun e ministrit të brendshëm, por i kemi njohur si njerëz të panjohur për atë rol që ka ministri i brendshëm. Dhe përsa kohë do të vazhdojë kjo inerci në këtë ministri, lajmet do të jenë plot me ngjarje kriminale për motive serioze e banale.

Me këto që po ndodhin për ditë vendi është kthyer në një rrumpallë, ku vrasja të duket si diçka normale e dhuna si diçka e zakonshme dhe për më tepër e pranueshme. Policisë i duhet rikthyer nderi e shtetit dinjiteti, e këtë e bën realisht vetëm një ministër i brendshëm dinjitoz, një ministër prej vërteti.