BALLKAN, 16 September 2026, 11:22

Hagë/ Gjykata Speciale: Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve.Veseli, mori pjesë

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.

Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smith. Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.

“Thaçi dha kontribut të qenësishëm për zbatimin e këtij plani. Ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e tij. Shumë prej personave besnikë që u emëruan kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së krimeve në përputhje me qëllimin e përbashkët. Thaçi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike, si dhe përdorimit të luftës speciale. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve.

Më 11 qershor 1998, Behajdin Hallaçi shkoi në shtabin e UÇK-së. Thaçi dhe Veseli e morën Behajdin Hallaçin në pranga. Ai nuk u pa më kurrë dhe trupi gjykues është i bindur se ai u vra. Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Pas luftës, Thaçi dhe Veseli u përpoqën t’i jepnin ryshfet familjes së tij, me qëllim që të hiqnin dorë nga kërkimi i së vërtetës. Edhe Shaban Dahala u vra. Trupi gjykues konstatoi se Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, sidomos për keqtrajtimin dhe vrasjen. Ai nuk ndërmori asnjë hap për ndëshkimin apo parandalimin e këtyre krimeve. Ai mori pjesë në krime dhe i inkurajoi ato, si dhe ngriti në detyrë personat e përfshirë në këto krime”, tha Gjyqtari.

Haga për Veselin: Ishte figurë kyçe në qëllimin e përbashkët kriminal, mori pjesë dhe inkurajoi krimet

Gjykata në Hagë ka paraqitur gjetjet për rolin e Kadri Veselit në çështje, duke konstatuar se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacioneve dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë. Gjykata tha gjithashtu se ai emëroi persona besnikë për zbatimin e planit, ndërsa shumë prej tyre kryen krime ose ishin në dijeni të tyre.

"Veseli dha kontribut në qëllimin e përbashkët kriminal. Ai kontribuoi në identifikimin, sigurimin e informacionit dhe neutralizimin e personave që konsideroheshin të dyshimtë. Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Ai emëroi persona besnikë për të siguruar zbatimin efektiv të planit. Shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi krimet" tha Smith. 

Gjykata Speciale: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime! Kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet

Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.

“Rexhep Selimi ishte themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit. Ai kishte rol në shpërndarjen e komunikatave. Pozita e tij zyrtare si inspektor i përgjithshëm i dha më pak pushtet krahasuar me të tjerët. Selimi luajti rol thelbësor në zonat operative, por ky rol nuk ishte kriminal. Megjithatë, ai i inspektoi shpesh këto zona dhe mori raporte të shpeshta për persona të ndryshëm. Për shkak të përfshirjes së tij në sulmet e paraluftës, ai ishte plotësisht në dijeni se kjo ishte politika e UÇK-së. Ai emëroi persona besnikë në pozita kyçe. Shumë prej tyre kryenin krime ose ishin në dijeni të qëllimit të përbashkët. Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime, në mënyra të ndryshme që përshkruhen në aktgjykim. Ai mori pjesë në arrestimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa vende krimesh të paraqitura në aktakuzë.

Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes pjesëmarrjes në luftë, mosmarrjes së veprimeve për parandalimin ose ndëshkimin e krimeve kur merrte raporte, si dhe krijimit të precedentit se krimet ishin të pranueshme, përmes pjesëmarrjes personale në to. Ai kishte dijeni për krimet ndaj kundërshtarëve, ndalimin e paligjshëm dhe keqtrajtimin e tyre. Kur u bë ministër i Rendit, ai ndërhyri për të siguruar lirimin e katër anëtarëve të UÇK-së, të cilët ishin ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi. Ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare. Përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte”, tha gjyqtari.