TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kosova ka 6 vjet që e pret këtë ditë. Në orën 10:00, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pas një procesi që zgjati afro gjashtë vjet nga arrestimet dhe më shumë se tre vjet gjykim.
Për shumë qytetarë në Kosovë, kjo nuk është thjesht një seancë gjyqësore. Që prej mbrëmjes së djeshme, sheshet janë mbushur me qytetarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të katër ish-drejtuesve.
Në Prishtinë është vendosur një ekran gjigant ku mijëra qytetarë pritet ta ndjekin drejtpërdrejt leximin e vendimit, ndërsa në Hagë qindra shqiptarë kanë kaluar natën pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale.
Si do të zhvillohet seanca?
Seanca nis në orën 10:00 deri në orën 12:00 dhe do të jetë publike. Transmetimi në shqip, anglisht dhe serbisht do të transmetohet me rreth 10 minuta vonesë, ndaj publiku do ta ndjekë praktikisht nga ora 10:10.
Një detaj i rëndësishëm është se aktgjykimi nuk do të lexohet me një vendim të vetëm. Trupi gjykues do ta trajtojë çështjen veçmas për secilin të akuzuar.
I pari do të jetë Hashim Thaçi, më pas Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi.
Për secilin do të lexohet verdikti për secilën nga 10 pikat e aktakuzës, çka do të thotë se procesi do të jetë më kompleks sesa një shpallje e vetme "fajtor" ose "i pafajshëm".
Çfarë vendos gjykata?
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në thelb, gjykata duhet të vendosë nëse Prokuroria ka arritur të provojë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, përgjegjësinë penale individuale të secilit prej tyre.
Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burg për secilin, por kjo është vetëm kërkesa e saj dhe jo dënimi që do të japë domosdoshmërisht gjykata.
Vendimi do të shpallet nga një trup gjykues i përbërë nga katër gjyqtarë ndërkombëtarë. 3 gjyqtarë kryesorë dhe 1 rezervë.
Në krye të trupit gjykues është gjyqtari amerikan Charles Smith III, i cili mban edhe rolin e kryesuesit të procesit.

Pjesë e panelit është edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili së bashku me kolegët e tij ka shqyrtuar provat dhe dëshmitë e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.

Trupi gjykues përfshin gjithashtu gjyqtarin zviceran Guénaël Mettraux.

Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është gjithashtu pjesë e trupës gjykuese por si gjyqtar rezervë!

Një nga proceset më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë
Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka qenë një nga më voluminozët e zhvilluar nga Dhomat e Specializuara.
Gjatë gjykimit janë dëgjuar rreth 270 dëshmitarë, janë administruar 5.467 prova materiale dhe mbi 29 mijë faqe transkripte. Vetë trupi gjykues ka pranuar se ky volum i madh provash ndikoi në kohën e gjatë të vendimmarrjes.
Prishtina pret në shesh
Pika kryesore e grumbullimit sot do të jetë sheshi "Skënderbeu" në Prishtinë.
Komuna dhe platforma "Liria ka Emër" kanë vendosur një ekran gjigant ku qytetarët do të ndjekin drejtpërdrejt seancën.
Që prej mbrëmjes së djeshme, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me fotografi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mesazhe si "Sillini në shtëpi", "Heronj të luftës dhe paqes" dhe kërkesa që ata të shpallen të pafajshëm.
Edhe Haga nuk ka fjetur
Gjatë gjithë natës, jashtë ndërtesës së Gjykatës Speciale kanë qëndruar qindra shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe vende të tjera të Evropës.
Platforma "Liria ka Emër" organizoi aktivitetin "Nata e Pritjes", i cili nisi në orën 22:00 dhe vazhdoi deri në mëngjes, në pritje të verdiktit.
Masa të forta sigurie
Policia e Kosovës ka hartuar një plan të posaçëm operacional për aktivitetet e sotme dhe është koordinuar me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në.
Janë paralajmëruar kufizime të përkohshme të trafikut në zonat ku priten grumbullime të mëdha.
Edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë të shmangin tubimet dhe lëvizjet e panevojshme gjatë ditës.
Çështja nuk mbyllet domosdoshmërisht sot
Vendimi që shpallet sot është aktgjykimi i shkallës së parë. Nëse do të ketë dënime, mbrojtja do të ketë të drejtën ta ankimojë vendimin në apel.

'Largohuni ose do përdorim forcën', tension para Speciales në Hagë! Protestuesit përplasen verbalisht me policinë holandeze
Pak para nisjes së seancës në Hagë, situata u tensionua jashtë Dhomave të Specializuara, ku janë mbledhur qindra shqiptarë në pritje të verdiktit për katër ish-krerët e UÇK-së.
Policia holandeze u kërkoi disa herë protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në parkun ku autoritetet kanë lejuar zhvillimin e protestës. Efektivët paralajmëruan se, nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdornin forcën për t'i larguar.
Paralajmërimi shkaktoi reagime nga disa prej të pranishmëve, të cilët nisën të fyenin policët holandezë, duke sjellë momente tensioni dhe përplasje verbale. Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
Në ato momente, Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), iu drejtua protestuesve me një apel për qetësi.
"S'kemi punë me policinë holandeze", tha ai duke u kërkuar të pranishmëve të shmangin çdo përplasje me autoritetet.
‘Heronj të luftës dhe paqes’, makinat në Kosovë ‘vishen kuqezi’ për liderët e UÇK-së
Në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, makinat në Kosovë janë mbuluar me flamujt kuqezi dhe portretet e liderëve të UÇK-së.
NNë një prej automjeteve shihet një flamur me mbishkrimi “Heronj të luftës dhe paqes”, në shenjë mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Pak para verdiktit në Hagë, mbrojtësi i Thaçit: Do të flas pas vendimit
Pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.
Ai nuk ka preferuar të komentojë para vendimit të trupit gjykues.
“Do të flas pas vendimit”, tha Mishetiç.

Ja si e gjeti mëngjesi Prishtinën! Qytetarët presin verdiktin për liderët e UÇK në shesh
Pas një nate të kaluar në shesh me këngë, flamuj dhe pranë "Flakës së Lirisë", dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë edhe këtë mëngjes në sheshin "Skënderbeu", ku është vendosur ekrani nga ku do të ndiqet shpallja e vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Qytetarët po presin nisjen e seancës në Hagë, e cila fillon në orën 10:00, ndërsa numri i të pranishmëve në shesh vijon të shtohet.

Rreth zjarrit deri në agim! Kështu e kaluan natën qytetarët e Kosovës në pritje të vendimit të Hagës
Nata në Prishtinë kaloi ndryshe. Që pas mesnate, sheshi "Skënderbeu" nuk u boshatis asnjë moment. Rreth zjarrit u mblodhën burra e gra, djem e vajza, të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, për të pritur bashkë mëngjesin e vendimit të Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Dikush i binte kitarës, tjetri çiftelisë të gjithë ia merrnin këngës. Herë dëgjohej "Mora fjalë", herë këngët patriotike kushtuar ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në kor këndohej: "T'fala Parisit e t'fala Brukselit, jem ushtar të Kadri Veselit...", ndërsa flamujt e UÇK-së shpaloseshin me krenari.
Nuk munguan as kafeja e ngrohtë, as bisedat që zgjatën deri në agim. Disa u ulën pranë zjarrit, të tjerë qëndruan në këmbë për orë të tëra. Askush nuk kishte ardhur vetëm për të kaluar natën. Të gjithë prisnin të njëjtin moment: orën 10:00, kur nga Haga do të lexohet vendimi.