BALLKAN, 15 September 2026, 23:00

Shtohen masat e sigurisë në Hagë/ Policia paralajmëron shqiptarët: Do të konfiskohen flamujt me shtiza dhe objektet e rrezikshme

Policia holandeze ka njoftuar qytetarët e mbledhur pranë Gjykatës Speciale në Hagë për masat e sigurisë që do të zbatohen gjatë shpalljes së vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Efektivët kanë bërë të ditur se do të konfiskohen flamujt me shtiza, shtizat e vendosura në rrugë, si edhe çdo objekt tjetër që mund të përdoret për të shkaktuar lëndime gjatë grumbullimeve.

Për këtë arsye, qytetarëve që ndodhen pranë Gjykatës Speciale u është kërkuar të respektojnë masat e vendosura dhe të shmangin vendosjen e flamujve me shtiza apo objekteve të tjera që mund të konsiderohen rrezik për sigurinë.

Masat janë ndërmarrë në kuadër të përgatitjeve të autoriteteve holandeze për mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë grumbullimeve pranë Gjykatës Speciale, në ditën e shpalljes së vendimit për katër ish-krerët e UÇK-së.