BALLKAN, 16 August 2026, 16:01

Greqia 'luftë' me flakët! Zjarret përfshijnë Salaminën, digjen banesa. Nis evakuimi

Dy vatra të mëdha zjarri kanë shpërthyer mesditën e së dielës në ishullin e Salaminës, në Greqi, duke vënë në alarm autoritetet dhe duke mobilizuar një numër të madh forcash zjarrfikëse. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 192 zjarrfikës dhe 14 mjete ajrore, ndërsa në zonë vijojnë të fryjnë erëra të forta që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Vatra e parë është shfaqur në zonën e Peristerisë, ku flakët kanë përfshirë edhe banesa. Raportohet se katër persona kanë pësuar djegie, ndërsa një i moshuar është shpëtuar nga një banesë në zonën e Kaki Viglës. Të gjithë janë transportuar për marrjen e ndihmës mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Salaminës.

Ndërkohë, një vatër e dytë ka shpërthyer në zonën e Selinisë, duke u përhapur në drejtim të Kaki Viglës. Situata është bërë veçanërisht shqetësuese për shkak të kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve dhe afërsisë së zjarrit me zonat e banuara. Në terren ndodhen edhe një numër i madh mjetesh të Rojës Bregdetare, të cilat janë vendosur në gatishmëri për një evakuim të mundshëm të banorëve nga deti, veçanërisht nga Selinia dhe Kaki Vigla.

Autoritetet greke kanë aktivizuar sistemin e emergjencave 112, duke dërguar disa mesazhe për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Operacionet nga toka dhe ajri vijojnë, ndërsa forcat zjarrfikëse po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve dhe të mbrojnë zonat e banuara.