SPORT, 23 Shtator 2021, 19:35

Gol “alla Messi” dhe spektakël, Çekiçi realizon dygolësh ndaj Trabzonsporit

Gol “alla Messi” dhe spektakël, Çekiçi realizon

Endri Çekiçi dhuron spektakël në kampionatin turk, duke shënuar dy herë në portën e Trabzonspor, fillimisht me një gjysmë-roveshiatë dhe më pas me një depërtim fantastik, megjithatë Konyaspor nuk shkon dot përtej barazimit 2-2.

Futbollisti pogradecar e nisi ndeshjen si titullar, ashtu si dy shqiptarët e tjerë, Sokol Cikalleshi dhe Zymer Bytyqi, megjithatë Konyaspor e pa veten në disavantazh që në minutën e parë, pasi miqtë shënuan me anë të ish sulmuesit të Atalantës e Parmës, Andreas Cornelius.

Gjithsesi në minutën e 8’ mbrojtësi brazilian Vitor Hugo la Trabzonsporin me një lojtar më pak dhe gjithçka u bë më e lehtë për Konyaspor, teksa për të përmbysur rezultatin mendoi mesfushori Endri Çekiçi.

[video width="640" height="334" mp4="https://cdnimpuls.com/tpz.al/wp-content/uploads/2021/09/vi.mp4"][/video]

Në minutën e 20-të, pas një zbritjeje të shpejtë nga krahu i djathtë, Gurler dërgoi një krosim të mirë në zonë, aty ku fantazisti kuqezi u koordinua në mënyrë perfekte me një gjysmë-roveshiatë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.

Në fillim të pjesës së dytë, Çekiçi mori një top mbi vijën e zonës dhe më pas me një driblim “alla Messi”, u vu i vetëm përballë portierit dhe shënoi golin e dytë për Konyasporin.

[video width="640" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/tpz.al/wp-content/uploads/2021/09/vi2.mp4"][/video]

Fantazisti shqiptar pati një tjetër mundësi për të mbyllur ndeshjen në minutën e 74-t, por tentativa e tij për të dërguar sërish topin në rrjetë, u ndal nga portieri turk Ugurcan Cakir, i cili bëri një pritje mjaft të bukur.

Pavarësisht epërsisë numerike, Konyaspor nuk ia doli të ruajë avantazhin e fituar falë Çekiçit, pasi në të 76-ën mbrojtësi Hadziahmetovic shënoi në portën e tij, duke bërë që të rikthehej baraspesha.

Konyaspor krijoi edhe dy mundësi mjaft të mira shënimi deri në fund, por nuk ia doli të thyejë sërish gardianin e përfaqësueses turke, Ugurcan Cakir dhe u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë në këtë sfidë.

Pas 6 javëve të para, klubi i Konyaspor numëron 14 pikë, njësoj si Besiktasi kryesues, teksa Endri Çekiçi me tre gola dhe Sokol Cikalleshi me dy gola e një asist, kanë qenë protagonistë të padiskutueshëm.