TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Moxhtaba Khamenei, u ka dhënë urdhër forcave të armatosura të vendit që të ndërmarrin një «përgjigje të menjëhershme dhe efektive, pa kufizime gjeografike», në rast të një sulmi të ri nga Shtetet e Bashkuara apo nga ndonjë kundërshtar tjetër i Teheranit. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.
Gjatë një takimi me komandantët e lartë ushtarakë, Khamenei kërkoi forcimin e gatishmërisë operacionale të forcave iraniane, duke vënë theksin te aftësia e tyre për t’iu përgjigjur menjëherë një konflikti të mundshëm të ri ushtarak.
Sipas tij, «gatishmëria inteligjente ushtarake për një përballje të fuqishme me armiqtë» përbën një kusht themelor për garantimin e «fuqisë maksimale parandaluese».
«Nëse armiqtë ndërmarrin sërish sulme ushtarake apo terroriste, forcat e armatosura të Republikës Islamike dhe populli iranian do të jenë ata që do të përcaktojnë kohën dhe kushtet e përfundimit të tyre», paralajmëroi udhëheqësi iranian.
Kujtojmë se udhëzimet e reja vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Teheranit, Uashingtonit dhe Izraelit, ndërsa pala iraniane po përgatitet për mundësinë e operacioneve të reja ushtarake amerikane, në kohën kur vijojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Në shënjestër interesat amerikane dhe izraelite
Sipas IRNA-s, udhëzimet strategjike të Khameneit përfshijnë edhe përditësimin e të ashtuquajturës «bankë e objektivave» të forcave të armatosura iraniane.
Urdhri parashikon zgjerimin e listës së objektivave të mundshëm, në mënyrë që çdo lloj pasurie materiale dhe jomateriale e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të përfshihet në objektivat që mund të goditen nga forcat iraniane.
Takimi i Moxhtaba Khameneit me komandantët e lartë të forcave të armatosura iraniane u konfirmua gjithashtu nga llogaria zyrtare e udhëheqësit iranian në platformën X.
Në postimin përkatës thuhet se Khamenei ka dhënë «urdhra të rëndësishëm dhe strategjikë» për udhëheqjen ushtarake të vendit, duke bërë të ditur se më shumë detaje pritet të publikohen në vijim.