TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një përplasje politike për kontrollin e Gjykatës Kushtetuese të Polonisë ka shpërthyer pasi qeveria pezulloi dy gjyqtarët më të lartë të saj dhe ndërmori hapa për ngritjen e akuzave penale ndaj tyre.
Ministri polak i Drejtësisë, Waldemar Zurek, deklaroi se kishte kërkuar heqjen e imunitetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendëskryetarit Bartłomiej Sochanski, me qëllim që ndaj tyre të mund të ngrihen akuza penale.
Ndërkohë, politikanë të krahut të djathtë nga partia opozitare Ligji dhe Drejtësia (PiS) u mblodhën para ndërtesës së gjykatës në Varshavë për të protestuar kundër këtij vendimi, shkruan bbc.
Policia për ndërhyrje të shpejtë u dislokua për të penguar protestuesit të hynin në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjykata Kushtetuese deklaroi se dy gjyqtarët vazhdojnë të jenë drejtuesit e saj të emëruar ligjërisht.
“Të gjithë personat që marrin pjesë në këto veprime po kryejnë veprën penale të grushtit të shtetit”, thuhej në reagimin e institucionit.
Kryeministri Donald Tusk mbrojti veprimet e qeverisë, duke thënë se synimi është rikthimi i sundimit të ligjit në vend.
“Rikthimi i sundimit të ligjit është detyra jonë. Pas viteve të paligjshmërisë së Partisë Ligj dhe Drejtësi, ky është një proces i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm, që kërkon veprime vendimtare. Nuk ka rrugë tjetër”, shkroi Tusk.
Ndërkohë, presidenti polak Karol Nawrocki, i cili mbështetet nga PiS, teksa po udhëtonte për në Senegal, është kthyer urgjentisht në Varshavë.
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka hyrë mëngjesin e së shtunës në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, para së cilës gjatë natës kishin protestuar qindra qytetarë, ndërsa në zonë ishte vendosur një numër i madh policësh të pajisur për shpërndarjen e demonstratave.
Nawrocki e ndërpreu të premten vizitën në Senegal dhe u kthye në Poloni, pasi aleati i tij, Bogdan Swieczkowski, u pezullua nga posti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ishte emëruar në këtë detyrë gjatë qeverisjes së partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Sipas agjencisë Reuters, gjykata njoftoi se Swieczkowski ishte shkarkuar nga gjyqtarja me përvojën më të gjatë në këtë institucion, Anna Korwin-Piotrowska, e cila më pas mori drejtimin e gjykatës.
Policia “pushton” Gjykatën Kushtetuese, presidenti kthehet urgjentisht në vend
Sipas agjencisë Anadolu, Nawrocki mbërriti në Varshavë të premten, pak para orës 22:00, pasi aeroplani i tij ndryshoi drejtim mbi Spanjë.
Më pas, ai u takua me kryetarin e parë të Gjykatës Supreme, Zbigniew Kapinski, i cili më herët kishte dënuar zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, shkruan cnn.
Qindra protestues u mblodhën para gjykatës të premten vonë në mbrëmje. Pamjet e Reutersit tregojnë përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa Swieczkowski, i cili ishte pezulluar nga detyra, tentoi të hynte në ndërtesë dhe u ngjit mbi rrethojën, duke biseduar me policët.
Politikanë të krahut të djathtë u thanë protestuesve se qeveria e Donald Tuskut po kryente një grusht shteti kundër gjykatës.
Pesë kërkesa për heqjen e imunitetit
Ministri i Drejtësisë dhe njëkohësisht kryeprokurori, Waldemar Zurek, bëri të ditur se në Gjykatën Kushtetuese kishte dorëzuar pesë kërkesa për heqjen e imunitetit të kryetarit të gjykatës dhe zëvendësit të tij.
“Këto kërkesa përbëjnë gjithsej 224 faqe. Bashkë me to, gjykatës i janë dorëzuar edhe 50 vëllime të dosjeve”, deklaroi ai, duke shtuar se rastet lidhen me vepra të ndryshme penale.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i cili ndodhet në Atlanta në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s, tha se Gjykata Kushtetuese ishte politizuar gjatë qeverisë së mëparshme.
Sipas tij, gjykata ka tashmë tre vjet që ka shumicën e gjyqtarëve të zgjedhur nga parlamenti i ri, por kryetari i deritanishëm nuk e kishte thirrur mbledhjen e saj, duke e pamundësuar edhe miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Ai shtoi se Korwin-Piotrowska kishte kërkuar mbrojtje pasi protestuesit kishin bllokuar ndërtesën.
Reagon ambasadori amerikan
Ambasadori i SHBA-së në Poloni, Tom Rose, shkroi në rrjetin social X se zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese janë shumë serioze dhe se bëhet fjalë për një përballje të paprecedentë lidhur me përdorimin e forcës shtetërore dhe pavarësinë e një institucioni kushtetues.
Ai theksoi se të dyja palët po paraqesin versione krejtësisht të ndryshme të ngjarjeve.
Rose u bëri thirrje zyrtarëve, policisë dhe protestuesve të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në dhunë.
Ai shtoi se nuk i takon SHBA-së të gjykojë apo të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Polonisë.
Qeveria e Donald Tuskut nuk i njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për shkak të gjyqtarëve të emëruar gjatë qeverisjes së partisë PiS.
Në anën tjetër, Nawrocki dhe Swieczkowski nuk i njohin gjyqtarët e zgjedhur nga Sejmi aktual, parlamenti polak, mes të cilëve edhe Anna Korwin-Piotrowska.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit rreth Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, duke thënë se çështja kryesore është rikthimi i sundimit të ligjit në një institucion që, sipas tij, ishte politizuar nga qeveria e mëparshme.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Sikorski theksoi se qeveria populiste, e cila humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2023, kishte politizuar Gjykatën Kushtetuese.
Ai pretendoi se kryetari i institucionit kishte shkelur vazhdimisht ligjin, duke ua kaluar çështjet me ndjeshmëri politike gjyqtarëve të përzgjedhur prej tij.
Sipas Sikorskit, gjykata madje kishte dështuar të miratonte edhe buxhetin e saj.
Duke komentuar ngjarjet e mbrëmshme në Gjykatën Kushtetuese, ministri pranoi se zhvillimet në Varshavë nuk ishin elegante, por argumentoi se alternativa do të ishte pranimi i një transformimi antikushtetues të Polonisë në republikë presidenciale.
Sikorski theksoi se Polonia vazhdon të qeveriset nga një koalicion qeveritar i dalë nga zgjedhjet parlamentare.
Polonia është përfshirë në një përplasje të ashpër politike dhe institucionale mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidentit Karol Nawrocki, për kontrollin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për ta kuptuar krizën e fundit, duhet të kthehemi në vitin 2015, kur partia nacional-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet dhe nisi ndryshimet në sistemin gjyqësor.
Si nisi konflikti?
Në vitin 2015, qeveria e PiS-it emëroi gjyqtarë në vende që konsideroheshin tashmë të plotësuara. Më pas, gjatë viteve në pushtet, ajo ndërmori ndryshime në sistemin e drejtësisë, duke shkaktuar përplasje me institucionet evropiane, të cilat e akuzuan për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit.
PiS humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2023, ndërsa pushtetin e mori koalicioni i udhëhequr nga Donald Tusk.
Qeveria e re nisi përpjekjet për të reformuar institucionet e drejtësisë dhe për të ndryshuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ajo ishte politizuar nga pushteti i mëparshëm.
Megjithatë, këto përpjekje u penguan nga presidenti Karol Nawrocki, aleat politik i PiS-it, i cili kundërshtoi disa emërime të gjyqtarëve.
Çfarë ndodhi më 30 tetor 2026?
Kriza u përshkallëzua të premten, kur shtatë gjyqtarë të zgjedhur nga parlamenti hynë në selinë e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë.
Më pas, gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska njoftoi se po merrte drejtimin e institucionit dhe pezulloi nga detyra kryetarin Bogdan Swięczkowski dhe zëvendëskryetarin Bartlomiej Sochanski.
Ky vendim u kundërshtua nga drejtuesit ekzistues të gjykatës, të cilët e cilësuan veprimin të paligjshëm dhe pretenduan se po tentohej marrja e kontrollit të institucionit.
Në të njëjtën kohë, ministri i Drejtësisë dhe prokurori i përgjithshëm, Waldemar Zurek, kishte kërkuar heqjen e imunitetit të dy drejtuesve të gjykatës, me qëllim që të mund të përballeshin me akuza penale. Kërkesat lidhen me pretendimet për shkelje gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.