BALLKAN, 31 July 2026, 18:32

Gjykimi për masakrën e Reçakut nis në mungesë, 21 ish-zyrtarë dhe pjesëtarë të forcave serbe përballë akuzave

Ka filluar gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për kryerjen e masakrës së Reçakut, ku u vranë 42 civilë shqiptarë më 15 janar 1999

Mbi të akuzuarit rëndon vepra penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Prokurori special, Ilir Morina tha se në këtë rast janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj të akuzuarve. “Parashihen kushtet ligjore të cilat duhet të plotësohen para se të ngritet aktakuza në mungesë dhe ato kushte janë thirrja, urdhërarresti, kërkimi i adresës së të pandehurve në territorin e Kosovës dhe fletrreshtim kombëtar dhe ndërkombëtar. Në rastin konkrek prokurori i ka plotësuar këto kushte për ngritje të aktakuzës në mungesë.”

Edhe kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra, tha se Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve. Ajo bëri të ditur se, meqë nuk është arritur të sigurohet prania e tyre dhe gjykata është bindur se janë bërë përpjekje të mjaftueshme, është marrë vendimi qe gjykimi për krime lufte të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve.

Prokurori lexoi emrat dhe funksionet e të gjithë 21 të akuzuarve, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, komandantë të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe pjesëtarë të njësive speciale.

Kjo masakër shkaktoi reagim të fuqishëm ndërkombëtar dhe e rriti trysninë ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në bisedime mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë. Mosarritja e marrëveshjes e shtyu NATO-n të kryejë bombardime ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë.