AKTUALITET, 6 Janar 2019, 20:07

EMRAT/ Aksidenti tragjik në Levan-Tepelenë, kush janë viktimat dhe të plagosurit

EMRAT/ Aksidenti tragjik në Levan-Tepelenë, kush janë viktimat

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në aksin Levan-Tepelenë, në afërsi të fshatit Varibob, ku raportohet se një autobus është përplasur me një autoveturë.

Raportohet se të paktën 2 persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë mendohet të jenë plagosur, në një aksident të shumëfishtë, ku janë përfshirë dy makina dhe një motor.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti tragjik, por mësohet se policia dhe ambulanca kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të saj.

Trupat e viktimave dhe të plagosurve janë transportuar për në spitalin e Fierit, ndërsa policia ka shoqëruar shoferin e automjetit që shkaktoi aksidentin.

Dy personat që kanë humbur jetën janë Fetah Shahaj, 64 vjeç dhe Durim Lamaj, 50 vjeç.

Mësohet se drejt vendit të aksidentit janë nisur pesë autoambulanca dhe po kryejnë transportin e të plagosurve drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Ata janë identifikuar si; Haxhi Lamaj, Menyre Lamaj, Agron Cocalli, Jorgo Meraj dhe Sokol Dhima.

NJOFTIMI I PLOTË

Në datën 06.01.2019, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, një automjet ka përplasur një këmbësor.

Në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim.

Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit F.Sh, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe D.L, 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier si edhe janë dërguar në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve 5 shtetas të tjerë.

Po punohet për identifikimin e shtetasve të plagosur dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.