AKTUALITET, 30 Mars 2019, 16:15

Shkodra e pushtuar nga bandat, shkarkohet Drejtori i Policisë, Vehbi Bushati

Shkodra e pushtuar nga bandat, shkarkohet Drejtori i Policisë, Vehbi

TPZ.al paralajmëroi ditën e sotme, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati. Ministri Sandër LLeshaj ka lajmëruar pak minuta më parë, nga qyteti i Shkodrës, largimin e drejtorit të policisë nga detyra.

Shkak për këtë vendim të Ministrit Lleshaj, është situata e kriminalitetit në këtë qytet dhe numri shumë i lartë i vrasjeve dhe ekzekutimeve. Bushati u emërua në krye të policisë së Shkodrës në shkurt 2018, kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Vehbi Bushati do  të zëvendësohet nga Niko Brahimaj, i cili ka drejtuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri.

Ministri Lleshaj deklaroi nga Shkodra, se Brahimaj do të zëvendësojë Bushatin, për t'i dhënë impulse të reja policisë në Shkodër.

"Për t’i dhënë një impuls te ri kemi vënë ne policinë e Shkodrës Niko Brahimaj ne vend te Vehbi Bushatit. Erdha ne Shkodër për ketë arsye por edhe për ngjarjen e rende te ndodhur. Është vrasje për larje hesapesh ne Shkodër. Forcat e policisë po bëjnë maksimumin për ta zbardhur ngjarjen", deklaroi ministri.

Ditën e sotme, Shkodra u trondit nga vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Ata u ekzekutuan në një atentat para shtëpisë së tyre.

Shkodra është kthyer në "kryeqytetin e krimit". Nga qershori i vitit 2018 deri më sot, ky qytet numëron 12 të vrarë në atentate.

Ndërkohë muaji mars, ka shënuar shtatë vrasje në vend, katër prej të cilave janë kryer brenda një jave dhe ku spikat ekzekutimi mafioz i avokatit Ravik Gurra në Elbasan.

/TPZ.al/ 

Ngjarjet kriminale në Shkodër që prej Qershorit 2018. 

Në 18 qershor u vra biznesmeni Mehdi Kavaja

Në 15 korrik u vranë ish-polici Boran Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci

Në 10 gusht u vra Fatbardh Lici, kunati i biznesmenit Lulzim Kulla

Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, dajë dhe nip

Në 27 gusht u vra Prendush Fusha

Në 1 shtator u vra biznesmeni Arjan Ferracaku

Në 14 nëntor u vra Fatos Ferracaku, tregtar peshku kushëriri i Arjanit

Në 20 mars 2019, ekzekutohet biznesmeni Ferdinand Polia

30 mars 2019, vritet Astrit Bilali dhe Brahim Bilali

VIDEO: Katër vrasje brenda një jave.