AKTUALITET, 23 July 2026, 13:06

E rëndë/ Kishte shkuar për pushime në Orikum, humb jetën qytetari nga Tirana

Një pushues shqiptar ka humbur jetën sot në plazhin e Orikumit, me dyshimet e një infarkti.

Sipas informacioneve paraprake, 75-vjeçari nga Tirana kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e tij. Rreth orës 11:30, sapo ka hyrë në det, ai është ndier keq , ku dhe ka humbur ndjenjat.

Kanë qenë pushuesit dhe familjarët e tij që e kanë nxjerrë menjëherë në breg dhe kanë kërkuar ndihmë. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa personeli mjekësor ka kryer manovrat e reanimimit, por pa mundur ta rikthejë në jetë.

Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt kardiak, ndërsa pritet që rrethanat e plota të ngjarjes të konfirmohen nga autoritetet përkatëse.