AKTUALITET, 27 August 2026, 22:53

Divjaka nuk tërhiqet, vijon protesta e 28-të kundër bashkimit me Lushnjën: Këtu vendosim ne!

Banorët e Divjakës kanë vijuar edhe këtë të enjte protestat kundër propozimit për ndryshimin e hartës administrative dhe bashkimin e bashkisë me Lushnjën.

Tubimi ka hyrë në ditën e 28-të, ndërsa qytetarët kanë përsëritur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të propozuar nga mazhoranca. Ata kërkojnë që Divjaka të vijojë të funksionojë si njësi administrative më vete, duke e konsideruar këtë çështje të lidhur ngushtë me identitetin dhe interesat e zonës.

Gjatë protestës, banorët deklaruan se nuk janë dakord me shkrirjen e bashkisë dhe theksuan se Divjaka ka ndërtuar ndër vite një profil të konsoliduar ekonomik dhe social.

Në përfundim të tubimit, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të qytetit, duke përsëritur thirrjet: “Divjaka bashki!” dhe “Këtu vendosim ne!”.

Banorët paralajmëruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga kundërshtimi i projektit për bashkimin me Lushnjën.