AKTUALITET, 10 September 2026, 09:51

Detaje të reja/ Ekzekutimi i vjeçarit në Itali, dyshohet se Hoti u eliminua për hakmarrje, në qershor u plagos një shqiptar

Detaje të reja kanë dalë në pah nga vrasja makabër e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u konstatua një qese të zezë, me duart e lidhura, ndërsa mbi të ishin vendosur goma makinash për ta rënduar.  

Teksa hetimet për zbardhjen e vrasjes janë në vijim, dyshohet se vrasja e shqiptarit ka ndodhur për hakmarrje pasi mediat italiane shkruajnë se ai mund të ketë qenë një person nga rrethi i personave të përfshirë në të shtënat në Zianigo të Miranos në muajin korrik.

Sipas Venezia Today, vrasja e Ferdinant Hotit mund të lidhet me atë që ndodhi natën mes 30 qershorit dhe 1 korrikut, kur një shtetas me kombësi shqiptare ishte qëlluar me armë zjarri në shpatull në Mirano, ndërsa po kthehej në shtëpi me partneren pas mbrëmjes, i cili fatmirësisht nuk paraqiste rrezik për jetën.

Prita dyshohet se ishte kryer nga dy persona, me shumë gjasë të së njëjtës kombësi me të plagosurin, të cilët kishin pritur te dera e shtëpisë shtetasin dhe gruan, duke e goditur atë me të shtënën e armës së zjarrit. Kamerat elektronike të pranishme në San Giorgio delle Pertiche mund të rezultojnë vendimtare për të arritur te momenti kur makina u shty në lumin Tergola, me trupin e pajetë të 35-vjeçarit brenda saj.

Pamjet do të shqyrtohen duke u kthyer pas në kohë, sepse duket e qartë se ai që e përfundoi veprimin, duke u përpjekur të fshihte kufomën, mund të ketë bërë më shumë se një vëzhgim në terren për të përcaktuar pikën e saktë ku do ta fundoste makinën.

Nga ana tjetër bëhet e dije se mjeku ligjor Rafi El Mazloum, i cili kreu ekzaminimin e trupit, konstatoi se viktima kishte ndërruar jetë para se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë gjetur gjurmë uji, duke përjashtuar kështu mundësinë që 35-vjeçari të jetë mbytur.

Megjithatë, karabinierët po rindërtojnë lëvizjet e fundit të viktimës, veçanërisht takimet dhe personat me të cilët ai është parë mbrëmjen e së hënës, 7 shtator. Ndërsa akoma nuk është publikuar fotografia e shqiptarit të vrarë. Pritet që të kemi detaje të reja në vijim.