AKTUALITET, 10 September 2026, 09:31

VIDEO/ Nga ndërtimet te legalizimet, Rama zbardh diskutimet në mbledhjen për “Praninë Besnike”, porosia: Njerëzit duhet të ndihen të qetë

Zbardhen porositë e kryesocialistit me vartësit gjatë takimit politik të mbajtur te “Vila e Kuqe”.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një mbledhje me ministra dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku u raportua mbi takimet me qytetarët dhe çështjet e ngritura prej tyre.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka zbuluar një pjesë të diskutimeve dhe raportimeve.

Deputeti Blendi Klosi tha se është ngritur një sistem për trajtimin e kërkesave të qytetarëve.

“Kemi një sistem që sapo të hidhet kërkesa, ta vëmë përpara për t’i dhënë zgjidhje. AI na jep mundësinë që sapo të hidhet problemi të gjenerohet e-mail, që ngarkohet me referenca ligjore.”

Deputetja Belinda Balluku raportoi për numrin e ankesave të administruara dhe takimet me qytetarët.

“Kemi administruar 262 ankesa, kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar mbi 300 qytetarë.”

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se ankesat kryesore lidhen me OSHEE-në dhe rindërtimin.

“Kemi marr 34 ankesa, çështjet kryesore lidhen me OSHEE dhe me rindërtimin. Gjithashtu çështje që kanë lidhje me ASHK dhe infrastrukturën rrugore, kryesisht rrugë dhe ura.”

Deputeti Ulsi Manja solli një nga reagimet e qytetarëve gjatë takimeve në terren.

“Njëri ma tha shqip, më tha se besoj se kjo që do të shkruash ti, ky halli im do të shkojë te tavolina e Edi Ramës.”

Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se pjesa kryesore e ankesave lidhet me legalizimet, ndërsa veçoi edhe problematikën e ndërtimeve të para vitit 1991.

“Pjesa kryesore e ankesave dhe kërkesave lidhen me legalizimet. Kishte një problematikë specifike për ndërtimet e para vitit 1991. Kemi planifikuar një takim me drejtoreshën e Kadastrës për ta takuar se ndoshta mund të ketë zgjidhje më sistemike për këtë çështje.”

Në fund, kryeministri Edi Rama u ndal te mënyra e zhvillimit të takimeve me qytetarët dhe nevoja që ata të ndihen të qetë kur paraqesin problematikat e tyre.

“Njerëzit nuk janë aty as për t’u sharë në televizor ose në Instagram, madje as duke u identifikuar fare që ishin aty. Kjo i ndihmon të gjithë që të ndihen të qetë kur të vijnë të qajnë një hall.”