BOTA, 3 Tetor 2022, 14:11

Studentët përleshen me forcat e sigurisë në universitetin e Teheranit! Dalin videot, dëgjohen të shtëna

Studentët përleshen me forcat e sigurisë në universitetin e

Forcat iraniane të sigurisë u përleshën me studentët në një universitet prestigjioz në Teheran përgjatë mbrëmjes, ndërsa protestat antiqeveritare vazhdojnë të përfshijnë vendin.

Një numër i madh studentësh në Universitetin e Teknologjisë Sharif ishin bllokuar në një parkim makinash ndërsa personeli i sigurisë u përpoq t’i nxirrte jashtë.

Një video tregohen studentët duke ikur ndërsa dëgjohen të shtëna me armë zjarri. Protestat antiqeveritare shpërthyen tre javë më parë, pas vdekjes së një 22-vjeçareje të arrestuar nga policia e moralit, me akuzën se kishte vendosur keq hixhabin.

Mahsa Amini ra në koma disa orë pasi oficerët në kryeqytet e akuzuan atë për shkelje të ligjit të rreptë që u kërkon grave të mbulojnë flokët me një hixhab ose shami. Ajo vdiq në spital tre ditë më vonë.

Familja e Amini pretendon se oficerët e goditën me shkop në kokë dhe ia përplasën në një nga automjetet e tyre. Policia ka thënë se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim dhe se ajo pësoi “atak të papritur në zemër’.

Protestat nisën në funeralin e saj më 17 shtator dhe janë përhapur në të gjithë vendin, duke u kthyer në trazirat më të këqija në vend prej vitesh.

E diela ishte dita e parë e semestrit për studentët e vitit të parë që ndjekin Universitetin e Teknologjisë Sharif.

Agjencia e lajmeve Mehr raportoi se rreth 200 studentë u mblodhën në kampus të dielën pasdite dhe filluan të thërrisnin slogane, përfshirë “grua, jetë, liri” dhe “studentët preferojnë vdekjen se sa poshtërimin”.

Ndërsa demonstrata vazhdonte, sloganet u bënë më radikale dhe të drejtuara kundër institucionit klerik, informoi Mehr.
Përleshjet shpërthyen në orët e vona të pasdites, kur forcat e sigurisë mbërritën në kampus. Mehr raportoi se personeli i sigurisë hodhi gaz lotsjellës dhe bojë, duke bërë që disa nga studentët të iknin në një nga parkingjet e makinave të universitetit.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, shihet një grup njerëzish që tentojnë të arratisen përmes një parkingu ndërsa ndiqen nga forcat e sigurisë me motoçikleta.

Në videot dëgjohen të shtëna me armë zjarri, si dhe thirrjet “vdekje Khamenei”, për Udhëheqësin Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Raportohet se një numër studentësh u rrahën ose u qëlluan me armë dhe 30 deri në 40 prej tyre u arrestuan.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Irna, raportoi se qetësia u rivendos pasi Ministri i Shkencës Mohammad Ali Zulfigol udhëtoi në kampus për të folur me studentët dhe forcat e sigurisë.

Mehr informoi se mësimet në universitet u pezulluan të hënën dhe u zhvendosën në internet “për shkak të ngjarjeve të fundit dhe nevojës për të mbrojtur studentët”.

Dy netët e fundit kanë parë një përshkallëzim të protestave në Teheran dhe shumë qytete të tjera, pavarësisht numrit në rritje të vdekjeve.

Irani Human Rights, një grup me bazë në Norvegji, tha të dielën se të paktën 133 njerëz ishin vrarë nga forcat e sigurisë deri më tani.