BOTA, 2 Tetor 2022, 22:33

Mblidhet për herë të parë Komuniteti Politik i Europës që propozoi Macron, Charles Michel dërgon ftesat

Mblidhet për herë të parë Komuniteti Politik i Europës

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel,  ka dërguar ftesat për anëtarët e Komunitetit Politik Evropian.

Ky Komunitet është propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe takimi i parë do të zhvillohet në Pragë.

Takimi përfshin të gjithë vendet që gjenden gjeografikisht në Evropë, përfshirë Shqipërinë edhe  Kosovën. Mbledhja do të zhvillohet më 6 dhe 7 tetor.

Si temë fokusi do ta ketë përpjekjet e Rusisë për ta pushtuar Ukrainën.

“Me pasojat dramatike të luftës së Rusisë që prek vendet evropiane në shumë fronte, ne ramë dakord të hapnim Komunitetin Politik Evropian me synimin për të bashkuar vendet në kontinentin evropian dhe për të ofruar një platformë për koordinimin politik. Ambicia është të bashkojë liderët në baza të barabarta dhe të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët, në mënyrë që, së bashku, të punojmë në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës në tërësi”, thuhet në letër.

Po ashtu do të diskutohen edhe tema si si paqja dhe siguria, situata ekonomike, energjia dhe klima, si dhe migrimi dhe lëvizshmëria.

“Asnjë rezultat zyrtar me shkrim i Komunitetit Politik Evropian nuk është parashikuar”, thuhet në deklaratë.

Në njoftim tregohet edhe axhenda e ngjarjes dhe gjithçka nis më 6 tetor ora 13:00.