TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Banorët e qytetit të Corleone-s në Siçili kanë bërë thirrje për "largimin e menjëhershëm" të një banori që ka qenë i dënuar më parë për krime mafioze dhe rezulton të jetë djali i mafiozit më të frikshëm të Italisë, Salvatore "Totò" Riina.
Giuseppe Salvatore Riina, 46 vjeç, i njohur si Salvuccio, i cili ishte dënuar dhe burgosur për gati nëntë vjet me akuza për zhvatje, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë mafioze, u kthye në qytetin e tij të lindjes prillin e kaluar. Ai është djali i tretë i Totò Riina-s, i njohur si la belva (bisha) ose il capo dei capi (kapoja i kapove). Ai vdiq në burg në vitin 2017.
Disa javë pas kthimit në shtëpi, qeveria lokale në Corleone votoi në favor të një rezolute që kërkonte që Giuseppe Riina të largohej nga qyteti sepse komuniteti atje kërkon të shpëtojë nga e kaluara mafioze.
“Corleone dëshiron të lërë pas të kaluarën mafioze, edhe duke larguar bashkëqytetarët e padëshiruar, si Salvuccio Riina, i cili kurrë nuk është distancuar nga krimet e neveritshme të babait të tij, Totò”, thuhet në rezolutë. “Dëmtimi i reputacionit që familja Riina i ka shkaktuar qytetit është serioz dhe i vështirë për t'u rikuperuar.”
Vendimi përfundimtar për të hequr Salvuccio-n u takon magjistratëve në Palermo.
Totò Riina u fuqizua në mesin e viteve 1970, kur u bë udhëheqësi de fakto i familjes së krimit Corleone. Asokohe, Siçilia ishte bërë një qendër për tregtinë e heroinës në SHBA pas luftës së Vietnamit. Ai jo vetëm që vrau rivalët e tij në një shkallë të paprecedentë në vitet 1980 dhe 90, por edhe prokurorët, gazetarët dhe gjyqtarët.
Vrasjet e pamëshirshme arritën kulmin në fillim të viteve 1990 me vrasjen e prokurorëve të Komisionit Antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Totò Riina besohet të ketë qenë përgjegjës për vdekjen e qindra njerëzve, duke përfshirë një djalë 13-vjeçar, i cili u rrëmbye, u mbyt dhe u tret në acid. Ai formalisht mbeti bosi i mafias siçiliane deri në ditën kur vdiq në burg, në nëntor 2017, ndërsa ishte në koma si pasojë e trajtimit të kancerit.