TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shtetet e Bashkuara kanë nisur zbatimin e kufizime të reja në kufirin jugor të vendit. Administrata thotë se ato synojnë të ndalojnë imigrantët të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i inkurajuar ata që të aplikojnë për azil përmes një procesi të ri e të sigurt.
Ndryshimet vijnë me përfundimin e kufizimeve të lidhura me koronavirusit, falë të cilave autoritetet refuzuan për tre vjet kërkesat për azil. Kufizimet e kishin zanafillën në një ligj të vitit 1944, që mundëson frenimin e imigrimit, në emër të mbrojtjes së shëndetit publik. Ato u vendosën nga administrata e ish-presidentit Donald Trump në mars të 2020-s. Autoritetet gëzonin të drejtën të kthenin mbrapsht imigrantët në kufirin SHBA-Meksikë, nën arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19.
Para vendosjes së këtyre kufizimeve, migrantët mund të kalonin në mënyrë të paligjshme, të kërkonin azil dhe lejoheshin të hynin në territorin amerikan. Ata shpesh liroheshin në pritje të shqyrtimit të rastit të tyre.
Kufizimi i lidhur me pandeminë u dha zyrtarëve autoritetin t’u mohonin imigrantëve të drejtën për të kërkuar azil, gjë që gjatë tre viteve, ka ndodhur më shumë se 2.8 milionë herë. Por nga urdhri ekzekutiv përjashtoheshin familjet dhe fëmijët të cilët udhëtonin vetëm.
Megjithë kufizimet në fuqi, imigrantët vazhduan të hyjnë në territorin amerikan.
Pasi mori detyrën Presidenti Joe Biden i mbajti në fuqi kufizimet lidhur me pandeminë, po më pas në 2022-in, u përpoq t’i hiqte ato. Republikanët e hodhën në gjyq administratën, duke argumentuar se kufizimet ishin të nevojshme për sigurinë kufitare. Gjykatat vendosën pro mbajtjes së këtij urdhri ekzekutiv në fuqi. Në janar të vitit 2023, administrata e presidentit Biden njoftoi se po i jepte fund emergjencës kombëtare lidhur me pandeminë, gjë që i hapi rrugë edhe heqjes së kufizimeve në kufi.
Kufizimet lidhur me pandeminë skaduan të enjten më 11 maj. Por administrata ka futur në fuqi një sërë rregullash të reja për të goditur kalimin e paligjshëm të kufirit. Administrata thotë se po përpiqet të ndalojë kontrabandistët, si dhe udhëtimet e rrezikshme e shpesh vdekjeprurëse, për imigrantët.
Pasojat pritet të jenë të ashpra. Imigrantët që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, nuk do të lejohen të hyjnë në territorin amerikan për pesë vjet dhe mund të përballen me ndjekje penale, nëse do të tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Sipas ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar, kushdo që hyn në Shtetet e Bashkuara ka të drejtë të kërkojë azil. Rastet e tyre shqyrtohen për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova të besueshme se ata rrezikojnë të shndërrohen në viktima të persekutimit në vendin e tyre. Çështja më pas i kalon gjykatës së imigracionit, për të përcaktuar nëse ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, proces ky që mund të zgjasë me vite. Zakonisht shqyrtimi i çështjes bëhet ndërsa imigrantët lejohen të qëndrojnë të lirë brenda territorit amerikan.
Falë rregullave të reja administrata Biden po largon tashmë këdo që kërkon azil, e që nuk ka kërkuar fillimisht mbrojtje në një vend nëpër të cilin ka kaluar, përpara se të mbërrijë në territorin amerikan, ose që nuk ka aplikuar fillimisht në internet. Ky është një version i një vendimi të marrë nga administrata e zotit Trump, por që u rrëzua nga gjykatat. Disa minuta përpara hyrjes ne fuqi të rregullit të ri të administratës Biden, grupet që mbrojnë të drejtat e imigrantëve ngritën një padi me synimin për ta bllokuar atë.
Padia u paraqit në gjykatën federale në San Francisko nga Qendra për Studime Gjinore dhe mbi Refugjatët, si dhe grupe të tjera. Këta të fundit pretendojnë se administrata Biden përforcoi politikën e propozuar nga administrata Trump, të njëjtën politikë që është rrëzuar me vendim të gjykatës sikurse thonë ata. Por administrata Biden thotë se rregulli i saj i ri është tërësisht i ndryshëm nga ai i administratës pararendëse.
Kush lejohet të hyjë në SHBA?
Autoritetet amerikane kanë thënë se do të pranojnë deri në 30,000 vetë në muaj, nga Venezuela, Haiti, Nikaragua dhe Kuba, për sa kohë që ata vijnë me rrugë ajrore, kanë një person që del garant për ta i cili paguan për strehimin dhe aspektet financiare të tyre, dhe pasi të kenë aplikuar fillimisht online. Qeveria do të lejojë gjithashtu deri në 100,000 vetë nga Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi, të cilët kanë familjarë në Shtetet e Bashkuara, të cilët gjithashtu duhet të kenë aplikuar fillimisht online. Përndryshe zyrtarët do t’i deportojnë ata, duke përfshirë 30,000 mijë persona në muaj, të cilët kanë ardhur nga Venezuela, Haiti, Nikaragua dhe Kuba. Kthimi i tyre do të bëhet në rrugë tokësore përmes Meksikës.
Një kategori tjetër e imigrantëve që do të lejohet, janë ata që do të aplikojnë përmes “CBP One”, një aplikacion i Zyrës së Operacioneve në Terren, një agjenci federale e zbatimit të ligjit, përgjegjëse për menazhimin e operacioneve doganore. Tani për tani, vetëm 740 persona në ditë mund ta përdorin aplikacionin, një numër që po rritet në 1000 në ditë.
Çfarë ndodh me familjet e imigrantëve?
Familjet që kalojnë kufirin në rrugë të paligjshme do të jenë të detyruara të qëndrojnë të mbyllura brenda, sipas orareve të përcaktuara nga autoritetet. Kryefamiljari do të jetë i detyruar të mbajë një byzylyk për monitorim, të lidhur në kyçin e këmbës. Zyrtarët e imigracionit duhet të përcaktojnë brenda 30 ditësh nëse një familje mund të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara ose të deportohet. Por zakonisht procesi zgjat me vite.