BOTA, 24 Maj 2022, 09:59

Në Korenë e Veriut gati tre milionë raste me “ethe e temperaturë”

Në Korenë e Veriut gati tre milionë raste me “ethe e

Autoritetet verikoreane kanë raportuar të martën një total prej gati tre milionë njerëzve “me ethe dhe temperaturë”, duke konfirmuar përhapjen e atij që duket se është koronavirus.

Shifrat e fundit vijnë pasi autoritetet në Phenian kanë regjistruar më shumë se 134,510 raste të reja të hënën, sipas raportimeve të medias shtetërore, e cila ka cituar autoritetet për parandalim të pandemisë.

Sipas ekspertëve, shteti nuk ka mjaftueshëm kapacitete për testim, për të konfirmuar nëse njerëzit janë të infektuar me koronavirus, apo vetëm kanë ethe e zjarrmi.

Këto të dhëna janë bërë të ditura pasi Pheniani ka konfirmuar rastet e para të infektimit me koronavirus më herët gjatë këtij muaji.

Deri më tani 68 njerëz kanë vdekur, ka thënë media shtetërore, duke shtuar se shkalla e vdekshmërisë është 0,002 për qind.

Ndërkohë, mbi 2.5 milionë njerëz besohet se janë shëruar.

Shumë pak dihet për situatën shëndetësore në këtë shtet të izoluar, mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se Koreja Veriore nuk ka kryer ndonjë fushatë vaksinimi.

Autoritetet verikoreane kanë vendosur masa izolimi.

Megjithatë, Qeveria ende nuk u është përgjigjur ofertave të Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, për të ofruar vaksina kundër koronavirusit.