BOTA, 2 Tetor 2022, 13:18

Policia zvicerane përdor plumba gome në protestën anti-Iran

Policia zvicerane përdor plumba gome në protestën anti-Iran

Policia zvicerane ka përdorur plumba gome gjatë një proteste pranë Ambasadës së Iranit në Bern, teksa dy persona kaluan rrethojat e Ambasadës dhe hoqën flamurin Iranin që po valëvitej pranë misionit diplomatik të Teheranit.

Autoritetet nuk raportojnë për të lënduar në këtë protestë, e cila ishte një prej dhjetëra protestave të ngjashme që u mbajtën në mbarë botën, në solidaritet me protestat që po mbahen në Iran pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila vdiq teksa po mbahej nga Policia.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator pasi ishte arrestuar nga Policia e moralit, nën dyshimet se nuk kishte respektuar rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Që nga vdekja e saj, në Iran janë organizuar protesta. Në Bern, Policia tha se ka përdorur plumba gome pasi disa protestues, gjatë demonstratës së paautorizuar, tentuan të hynin në oborrin e Ambasadës së Iranit.

Dy persona që arritën të hynin në oborrin e Ambasadës janë arrestuar, njoftoi Policia.
Më 1 tetor, protesta janë mbajtur në 159 qytete në mbarë botën, tha një organizatë iraniane për të drejtat e njeriut.

Irani ka fajësuar forcat e jashtme për nxitjen e protestave, që janë protestat më të mëdha në këtë shtet në vitet e fundit.

Aktivistët dhe familjarët e Aminit thonë se ajo u vra pas goditjeve në kokë, teksa gjendej në ndalim policor. Ata kanë hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve se Amini vdiq si pasojë e një sulmi në zemër.