BOTA, 22 Maj 2023, 14:15

Beteja për Bakhmut, “SkyNews”: Përse qyteti ukrainas është kaq i rëndësishëm për Rusinë

Beteja për Bakhmut, “SkyNews”: Përse qyteti ukrainas

Qyteti ukrainas, Bakhmut i ngjan një fushë beteje, e mbushur me artileri nga më të rëndat. Për rreth nëntë muaj forcat ruse përfshirë edhe mercenarët e grupit Wagner kanë sulmuar pa ndalur qytetin.

Ndërkohë shefi i grupit Wagner  Yevgeny Prigozhin pretendon se forcat e tij më në fund kanë pushtuar qytetin, ndërsa vetë Vladimir Putin e ka përgëzuar për luftën.

Por Ukraina ka refuzuar të pranojë, pasi  Volodymyr Zelensky ka thënë se mbrojtja e qytetit ende qëndron.

Por, pse është Bakhmut kaq i rëndësishëm për Rusinë?

Strategjikisht nuk është kështu, thotë për Sky News ish zëvendës-marshalli Sean Bell.

“Bakhmut nuk është një objektiv i rëndësishëm ushtarak. Por i vendosur në kontekstin e përpjekjeve më të gjera ruse për të kapur të gjithë Donbasin, Bakhmut ka qenë pjesë e një xhepi territori ende të kontrolluar nga forcat ukrainase që ka qenë një “gjemb në këmbë për Putinin”, shtoi Bell.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha më parë se kapja e qytetit do të kishte “vlerë të kufizuar operacionale” për Moskën, megjithëse shtoi se “mund të lejonte Rusinë të kërcënonte zonat më të mëdha urbane të Kramatorsk dhe Sloviansk”.