BOTA, 25 Nëntor 2021, 16:47

Sulm me bombë në Somali, vriten të paktën tetë persona

Sulm me bombë në Somali, vriten të paktën tetë persona

Të paktën tetë persona u vranë në kryeqytetin e Somalisë të enjten pas një sulmi vetëvrasës të ndërmarrë nga militantët islamikë ndaj një autokolone të sigurisë së OKB-së. Militantët përdorën një automjet të ngarkuar me eksploziv, bënë të ditur autoritetet dhe dëshmitarët.

Grupi islamik al Shabaab mori përgjegjësinë për shpërthimin e madh që tronditi Modadishun, si pasojë e të cilit u plagosën të paktën 23 persona, mes tyre nxënës shkollash.

Nuk dihet ende nëse në mesin e viktimave apo të plagosurve ka ndonjë personel të OKB-së. Autoritetet thanë se sulmi kishte si objektiv autokolonën e OKB-së e cila në momentin e shpërthimit po kalonte pranë një shkolle.

Zyrtarët e OKB-së nuk i janë përgjigjur ende një kërkese për koment.

Abdiasis Abu Musab, zëdhënësi i operacioneve ushtarake të al Shabaab-it, konfirmoi se operativët e grupit islamik kishin kryer sulmin dhe tha se ata kishin në shënjestër autokolonën e OKB-së.

Al Shabaab ka vite që lufton qeverinë qendrore të Somalisë, në një përpjekje për të marrë pushtetin dhe imponuar interpretimin e saj të rreptë të ligjit islam të sheriatit.

Grupi kryen shpesh atentate me bombë e sulme me armë në Somali e gjetkë, në luftën kundër ushtrisë somaleze dhe forcës AMISOM të mandatuar nga Bashkimi Afrikan, e cila ndihmon në mbrojtjen e qeverisë.