BLOG, 11 Maj 2022, 09:44

“Witold Pileck, polaku që doli vullnetar për në kampin e Auschwitz-it dhe…”/ Historia e një prej gjashtë anëtarëve më të guximshëm të Lëvizjes së Rezistencës Evropiane

“Witold Pileck, polaku që doli vullnetar për në kampin e

Një ushtar i palëkundur, një ushtar i mallkuar, një ushtar i “Republikës së humbur të Polonisë”, njeriu i fundit i kalorësisë të Republikës së Polonisë, një vullnetar për Auschwitz dhe një nga gjashtë anëtarët më të guximshëm të Lëvizjes së Rezistencës Evropiane, gjatë Luftës së Dytë Botërore – Witold Pilecki.

Ai është një simbol i një Polonie që u shkatërrua në mënyrë të pakthyeshme, në pothuajse çdo aspekt nga pushtuesit e saj: Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste. Ai i përkiste brezit, dëshira kryesore e të cilit, ishte që Polonia të rifitonte pavarësinë dhe që punoi më pas, për madhështinë e Polonisë. Ai brez u rrit me traditën e vazhdueshme të kryengritjeve kombëtare dhe u formua nga motoja: “ZOT – NDER – ATDHEU.”

Historia familjare dhe vitet e hershme

Witold Pilecki lindi më 13 maj 1901, në Olonets në Rusinë veriore, por familja polake Pilecki, ishte me origjinë nga rajoni i Nowogrodek (sot Bjellorusi).

Si një akt represioni për pjesëmarrjen e gjyshit të Witoldit (Jozef Pilecki) në Kryengritjen e Janarit 1863, autoritetet cariste konfiskuan pothuajse të gjithë tokat e familjes. Si pasojë, Pileckis, u shpërndanë në të gjithë Perandorinë Ruse, duke u përpjekur të siguronin jetesën. Babai i Witold, Julian, i diplomuar në Institutin e Pyjeve në Petersburg, pranoi një pozicion pylltari, në Karelia, në veri të Rusisë. Ai u transferua në Olonets, ku u takua dhe u martua me Ludwika Osiecimska.

Aty u lindi Witold, njëri nga pesë fëmijët e Pileckis. Në përpjekje për të shmangur rusifikimin e fëmijëve, në vitin 1910 Pileckis, vendosën të transferoheshin në Vilnius. Fatkeqësisht, për arsye financiare, Julian Pilecki duhej të qëndronte në Olonets dhe të vazhdonte punën e tij, si inspektor i lartë në Administratën Pyjore Shtetërore. Kështu, Ludwika dhe fëmijët shkuan në Vilnius, pa të. Pas mbërritjes së tyre Witold, shkoi në një shkollë tregtare, ku në vitin 1913, ju bashkua një organizate të fshehtë të skautëve.

Një ushtar/student dhe Luftëtar Polako-Sovjetik

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, i befasoi Pileckis, ndërsa ishin me pushime në Llixhat e qytetit Druskininkai. Ludwika e ndodhur në Vilnius, ishte e rrezikuar nga ushtria gjermane, nuk mundi të shkonte te burri i saj, i cili ishte ende në Olonets. Në vend të kësaj, ajo shkoi te nëna e saj, e cila jetonte në Hawryłkowo, në Rajoni Mogilev (Bjellorusi). Fëmijët vazhduan shkollimin në shkollat ​​e qytetit të Orelit, ku Witold themeloi trupën e tij të parë të skautëve.

Pavarësisht luftës në vazhdim, familja bëri një jetë të qetë deri në fillim të vitit 1918, kur filloi Revolucioni Bolshevik në rajonin e Mogilev.

Të nxitur nga agjitatorët bolshevik, fshatarët filluan të plaçkitnin pasuritë dhe të vrisnin pronarët e tyre. Nga frika për jetën e fëmijëve të saj, Ludwika Pilecka, u kthye me ta në Vilnius, ku ajo qëndroi për disa javë. Pa para, ajo shkoi në pronën e shkatërruar të Sukurcze, afër Lidës, e cila ishte në pronësi të vjehrrës së saj, Flawia Pilecka. Ishte e vetmja pasuri familjare, që autoritetet cariste nuk e konfiskuan, pasi ishte regjistruar me emrin Domejko – mbiemri i vajzërisë së gjyshes së Witold.

Në vjeshtën e vitit 1918, Witold Pilecki, u kthye në Vilnius, i cili ishte nën pushtimin gjerman. Ai u bë student i shkollës së mesme Joachim Lelewel dhe u bashkua me organizatën e fshehtë të Ushtrisë Polake, Organizata ‘Polska Organizacja Wojskowa’, (POW).

Qëllimi i tij, nuk ishte të vazhdonte shkollimin. Ndërsa polakët në qendër të vendit festonin pavarësinë e tyre të rifituar rishtazi, banorët e kufirit lindor, vazhdonin luftën e armatosur për liri. Më 20 dhjetor 1918, Witold ndërpreu arsimimin e tij dhe së bashku me një grup skautësh, u regjistruan të shërbenin në çetat e Vetëmbrojtjes të Vilniusit, të organizuara nga Gjenerali Władysław Wejtko. Ata morën kontrollin e qytetit në prag të Vitit të Ri, në 1918-ën. Ai luftoi kundër sabotimit komunist dhe më pas mbrojti Vilniusin, kundër ushtrisë sulmuese bolshevike. Një skautist me përvojë dhe instruktor skautist, ai komandoi mbrojtjen e barrikadës në Portën e Agimit.

Fatkeqësisht, gjatë natës nga 5 deri më 6 janar 1919, çetat e Vetëmbrojtjes së Vilniusit, u detyruan të tërhiqeshin nga qyteti. Witold Pilecki, nuk u dorëzua dhe u bashkua me një çetë kalorësie të vetëmbrojtjes të Vilnius, e cila komandohej nga vëllezërit Wladysław dhe Jerzy (të njohur si “Łupaszka”), Dąmbrowski. Ai luftoi me atë çetë deri në vjeshtën e vitit 1919. Mori pjesë në pothuajse të gjitha betejat kryesore të çetës, kundër forcave të alternuara Gjermane, Bjelloruse, Ukrainase dhe Bolshevike, ai gjithashtu mori pjesë në kapjen e Brest, Lida, Baranowicze dhe Minskupor dhe të qyteteve të tjera.

Një ushtar/student, Witold Pilecki u çmobilizua më 1 tetor 1919 dhe u kthye në Vilnius, ku ai vazhdoi arsimin në shkollën e mesme të të rinjve, ‘Joachim Lelewel’. Ai rifilloi edhe aktivitetin e tij të skautizmit dhe themeloi ekipin e 8-të të ‘Djemëve Skautistë të Vilnius’, anëtarët e së cilës, ishin kryesisht ushtarë të rinj të çmobilizuar.

As atëherë nuk arriti të ishte student për një kohë të gjatë. Me kërcënimin e ri Bolshevik, që vinte nga lindja, Witold Pilecki, u regjistrua në ushtri, në korrik 1920. Në atë kohë ai u caktua në Kompaninë e Parë të ‘Djemëve Skautist të Vilniusit’, në Regjimentin të 201-të të Këmbësorisë dhe u dërgua për të mbrojtur Grodno-n.

Përballë Ushtrisë Bolshevike që po përparonte, ai me çetën e tij arriti në Varshavë, ku rastësisht u takua me komandantin e tij të mëparshëm, Łupaszka. Ai “sulmues” legjendar dhe vëllai i tij, ishin duke formuar Regjimentin Vullnetar 211-të Niemen Uhlan, të cilit Witold iu bashkua më 12 gusht 1920. Si Uhlan i togës së 3-të të skuadriljes së 2-të, ai luftoi si për shembull në Płock, Mława, Chorzele, Druskininkai, Stołbce dhe Kojdanów, ku në këtë të fundit, ishte kur mbaroi lufta Polako-Sovjetike.

Banor i Vilniusit, në tetor 1920, ai me regjimentin e tij mori pjesë në fushatën e Vilnius, të Gjeneralit Lucjan Żeligowski, për të rifituar në favor të Polonisë, territoret që bolshevikët i’a dorëzuan Lituanisë, në gusht 1920.

Pas përfundimit të fushatës, më 1 janar 1921, klasi i parë, Uhlan Witold Pilecki, u lirua nga ushtria, për të vazhduar shkollimin dhe për të ndjekur sërish aktivitetin e tij skautist.

Në shkurt 1921, Witold u bashkua me Unionin e Sigurisë Kombëtare (Związek Bezpieczeństwa Kraju, ZBK), ku kreu një kurs trajnimi nënoficeri dhe u bë komandant-instruktor, i një dege të ZBK-së në Nowe Święciany. Në maj të atij viti, ai kaloi provimet e shkollës së mesme përpara Bordit të Provimit, për ish-Ushtarët (Komisja Egzaminacyjna dla Byłych Wojskowych) në Vilnius. Në atë kohë, ai zotëronte tre gjuhë të huaja: frëngjisht, gjermanisht dhe rusisht.

Ai filloi të studionte në Universitetin ‘Stefan Batory’, si një student i jashtëzakonshëm i Shkollës së Arteve të Bukura. Fatkeqësisht, atij i’u desh të ndërpriste studimet dhe të gjente punë fitimprurëse, për shkak të mungesës së parave, sëmundjes së rëndë të të atit, i cili ishte liruar nga një burgu bolshevik dhe fakti që pasuria Sukurcze (në të cilën jetonin prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij më të vegjël) ishte në borxhe, për shkak të luftës dhe qiramarrësve të pandershëm.

Fillimisht, ai punoi si sekretar i Unionit të Shoqatave të Fermerëve të Rajonit të Vilniusit. (Związek Kółek Rolniczych Ziemi Wileńskiej) dhe më pas, si sekretar i Magjistratit të Ndjekjes Penale, të rrethit të 2-të Gjyqësor në Vilnius. Në atë kohë ai filloi studimet me korrespondencë, në Fakultetin Bujqësor të Universitetit në Poznań.

Një periudhë disi qytetare

Gjatë gjithë asaj periudhe, ai bëri përpjekje për të rifituar pasurinë e Sukurcze. U zhvendos në pronat e rrënuara të familjes dhe filloi t’a modernizonte atë. U specializua në prodhimin e farës së tërfilit dhe qumështit.

Por atij i mungonte ushtria. Në vitin 1925, ai i’u nënshtrua trajnimit, në Regjimentin e 26-të Wielkopolski Uhlan, të vendosur në Baranovichi. Në vitin 1926, u gradua me gradën toger i dytë i reserves, që prej vitit 1923. Pothuajse çdo vit ai bënte stërvitje ushtarake, në Regjimentin e 26-të Uhlan dhe nga viti 1931, në Qendrën e Trajnimit të Kalorësisë (Centrum Wyszkolenia Kawaleri) në Grudziądz.

Në fund të viteve 1929 dhe 1930, Witold takoi gruan e tij të ardhshme, Maria Ostrowska – një mësuese e re në një shkollë fillore në fshatin Krupë. Ata u martuan më 7 prill 1931 dhe u transferuan në Sukurcze, ku lindi djali i tyre Andrzej, në vitin 1932, i ndjekur një vit më vonë nga vajza e tyre, Zofia.

Ai jo vetëm që punonte në pronën e tij, por gjithashtu po bëhej gjithnjë e më aktiv në shoqëri. Ai krijoi dhe një shoqatë të fermerëve, me vendasit dhe ndihmonte ata në nevojë. Në prill të vitit 1932, ai organizoi stërvitjen ushtarake të kalërimit “Krakus” në rrethin Lida, e cila u bë në vartëse e Divizionit të 19-të, të Këmbësorisë së Ushtrisë Polake.

Më 1937-ën i’u dha ‘Kryqi i Argjendtë i Meritës’ (Srebrny Krzyż Zasługi) për punën e tij sociale. Pavarësisht se kishte shumë gjëra në mendje, ai gjeti kohë edhe për të shkruar poezi dhe për të pikturuar. Dy nga pikturat e tij, kanë mbijetuar në kishën e famullisë në Krupa.

Lufta e Dytë Botërore

Në mesin e vitit 1939, Polonia urdhëroi mobilizimin në rast të një lufte me Gjermaninë. Më 26 gusht 1939, filloi mobilizimi i Kalorësisë së Divizionit të 19-të të Këmbësorisë. Togeri i 2-të Toger Witold Pilecki sapo mori lajmin, organizoi në fshatin Krupa dhe menjëherë pas kësaj ai dhe vartësit e tij, u bashkuan me njësinë.

Divizioni i 19-të i Këmbësorisë i Ushtrisë “Prusy” (Prusia) arriti në zonën e përqendrimit, pranë Piotrków më 4 Shtator 1939 dhe filloi të përgatitej për mbrojtje.

Ditën tjetër, trupat Gjermane XVI të blinduar, kryen një ofensive, duke i detyruar njësitë polake, të tërhiqen drejt Tomaszów Mazowiecki. Gjermanët shkatërruan skuadriljen e Lida Uhlans, të komanduar nga Togeri i 2-të Pilecki, gjatë luftimeve të ashpra në Wolborz. Ushtarët e shpërndarë me Pilecki mes tyre, kaluan lumin Vistula dhe u bashkuan me Divizionin i 41-të i Këmbësorisë, i cili po rikrijohej pranë Wlodawa.

Në atë kohë Witold, u bë zëvendës i komandantit të Kalorësisë së Divizionit, major Jan Wlodarkiewicz. Divizioni u shkatërrua më 22 shtator 1939, pas luftimeve të ashpra, por Witold Pilecki, nuk u dorëzua. Ai vazhdoi të luftonte me Uhlanët e tij, në një çetë partizane deri më 17 tetor 1939.

Ndërsa Pilecki po luftonte me Ushtrinë Gjermane, familja e tij më e afërt në Sukurcze, u gjend nën pushtimin Sovjetik. Për të shmangur arrestimin nga NKVD, (KGB-ja), gruaja e tij dhe fëmijët u fshehën diku në zonën lokale. Maria në prill 1940, arriti të kalonte kufirin gjermano-sovjetik, për të shkuar te prindërit e saj, që jetonin në Ostrow Mazowiecka (vendlindja e saj në Poloni) dhe në fund të atij muaji, Togeri i 2-të, Witold Pilecki, u takua me familjen e tij për herë të parë, që nga shpërthimi i luftës.

Pas mbërritjes së tij në Varshavë, e cila ishte nën pushtimin gjerman, Pilecki rivendosi kontaktet me Major Jan Wlodarkiewicz dhe ata filluan të krijonin, një organizatë të fshehtë, për të vazhduar luftën për pavarësinë. Më 9 nëntor 1939, gjatë një takimi në apartamentin e Eleonora Ostrowska (kunata e Pilecki), u mor një vendim për të themeluar një organizatë ushtarake të fshehtë – ‘Ushtria e Fshehtë Polake’ (Tajna Armia Polska, TAP). Të nesërmen anëtarët e saj, bënë një betim përpara At Janit Zieja.

Në Varshavë, Witold Pilecki fshihej nën emrin e supozuar, të Tomasz Serafinski. Serafinski, nuk ishte një figurë e trilluar, por një toger në rezervë, që kishte marrë pjesë në mbrojtjen e Varshavës. I plagosur pas kapitullimit të kryeqytetit, ai nuk u kap rob, por fshihej në një apartament sekret. Në dhjetor 1939, Serafinski u transferua në një apartament tjetër dhe ai la pas dokumentet e tij.

Pilecki, i gjeti kur u strehua atje pas tij. I bindur se pronari i tyre kishte vdekur, për shkak të lëndimeve të përhershme, Pilecki thjesht ndryshoi fotot në dokumente dhe filloi t’i përdorë ato.

Një vullnetar për në Auschwitz

Arrestimet midis ushtarëve të TAP, numri në rritje i të burgosurve në kampin gjerman të përqendrimit, në Auschwitz dhe përhapja e reputacionit të tij të keq, nxitën komandën e TAP-in, për të kryer një operacion inteligjence në kamp.

Togeri i 2-të, Witold Pilecki, doli vullnetarë për të ndërmarrë misionin, me dijeninë e Komandanti të Përgjithshëm, Gjeneral, Stefan Rowecki, i Unionit të Armatosur Luftarak (Zwiazek Walki Zbrojnej, ZWZ). Pilecki i lejoi gjermanët ta arrestonin, si Tomasz Serafinski, gjatë një arrestimi në masë, në rrethinat e Varshavës të Zoliborz, më 19 shtator 1940.

Ai u transportua në kampin e përqendrimit të Auschwitz, bashkë me 1,705 personash të tjerë (i ashtuquajturi “transporti i dytë i Varshavës) natën e 21/22 shtatorit 1940. Numri i tij i kampit ishte 4859. /Memorie.al