BLOG, 7 Maj 2022, 19:32

Për t’u çmallur me Dritëronë: “Trëndafilët e turkeshës!"

Për t’u çmallur me Dritëronë:

Dikur, shumë vite më parë kur punoja në gazetën “Zëri i Popullit” ku Dritëroi vinte shpesh mbrëmjeve e gjithmonë bashkë me Sadijen, më pat thënë se që ta shijosh poezinë, duhet ta lexosh me zë, sepse vetëm ashtu ia ndjen muzikën, ritmin, emocionin.

Dhe, edhe Dritëroi vetë e kishte pasion t’i recitonte poezitë e veta, me shumë emocion dhe me një muzikalitet krejt të veçantë ku ndihej brenda kumbimit të zërit të tij edhe ritmi i këngëve devollite, të cilat ai gjithashtu i këndonte shumë bukur.

E m’u për këtë arsye, pra,ngase e dija se sa shumë i shijonte Dritëroi poezitë e recituara, apo edhe më thjeshtë se aq, edhe të lexuara me zë, kur m’u besua përgjegjësia të shërbeja në detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në tetorin e vitit 2001, kur shkrimtari ynë i madh kishte 70 vjetorin e lindjes, bashkë me shkrimtarin dhe botuesin Arian Leka, realizuan me Dritëronë një CD me 70 poezi të cilat ai i zgjodhi vetë, të recituara prej tij, që padyshim mbeten një pasuri unike dhe një trashëgimi e vyer e kulturës tonë kombëtare, të cilën Ministria e Kulturës mund ta riprodhojë edhe sot në cilësinë dhe standardet teknologjike të kohës dhe madje ta kthejë në një praktikë edhe me shkrimtarë të tjerë.

Krijimtaria e Dritëroit, apostullit të madh të letërsisë shqipe; jeta, vepra dhe emri i tij, patriotizmi dhe dashuria prej njeriu fisnik e me zemër të madhe që ai kishte për vendin dhe për njerëzit e të gjitha moshave dhe viseve shqiptare, e meriton nderimin, vëmendjen dhe kujtesën në çdo kohë.

Ndaj, edhe unë sot po ju ofroj të recituar një poemë të cilën e kam shumë për zemër, “Trëndafilët e Turkeshës” të shkruar në vitin 1980 në Stamboll, me shpresë se do t’ju pëlqejë e të shijoni në këtë mënyrë një fragment prej magjisë së artit të Dritëroit.