BLOG, 24 Prill 2022, 11:47

Si mund t’i kundërvihet Bashkimi Evropian ndikimin rus në Ballkan

Si mund t’i kundërvihet Bashkimi Evropian ndikimin rus në

Pushtimi rus i Ukrainës, e ka forcuar vendosmërinë e evropianëve për të mbrojtur demokracinë dhe arkitekturën evropiane të sigurisë.

Njëherazi, shumë politikanë dhe akademikë i kanë kthyer sytë nga Ballkani, të frikësuar se çfarë është në gjendje të bëjë ndikimi rus në një rajon të karakterizuar nga destabiliteti politik, problemet ekonomike dhe emigrimi i më të arsimuarve.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike, të cilat mbeten të pazgjidhura edhe pas rreth 3 dekadash nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Mundësia e një pushtimi rus në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi – janë të ulëta.

Sidomos për shkak se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë tashmë anëtare të NATO-s. Megjithatë, Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë lehtësisht rajonin, dhe në këtë mënyrë të sabotojë gjasat që 6 vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, të cilën ato e aspirojnë që nga viti 2005.

Tashmë janë ngritur pikëpyetje se si Bosnja mund të anëtarësohet një ditë në BE-së, kur Milorad Dodik po ndjek aspiratat separatiste të mbështetura nga Rusia për Republikën Srpska (entiteti me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë). Ndërkohë aspiratat e Kosovës mbeten të bllokuara nga refuzimi i disa vendeve – përfshirë Rusinë dhe Serbinë – për të njohur pavarësinë e saj.

Serbia, që tashmë është kualifikuar si një kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të qëndrojë në një ekuilibër delikat midis përafrimit të saj me politikën e jashtme të BE-së, dhe lidhjeve të saj kulturore dhe historike me “vëllanë e saj sllav”, Rusinë.

Ky tension ishte i dukshëm gjatë një konference për mediat që dha presidenti serb Alexandar Vucic së bashku me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock më 11 mars, kur Vucic refuzoi të përmendte pushtimin rus, duke aluduar në mënyrë të paqartë për “atë që po ndodh në Ukrainë”.

Brenda vendit, ai ka mbështetje për ruajtjen e marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë, siç tregohet nga një sondazh i fundit nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili zbuloi se 54 për qind e qytetarëve serbë e shohin Rusinë si një aleate, 95 për qind si një partnere të domosdoshme, dhe vetëm 11 për qind e shohin BE-në si aleate.

Po çfarë mund të bëjë BE-ja në këto kushte? Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, politikanët evropianë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se ata e shohin të ardhmen e këtij rajonit brenda BE-së, duke deklaruar se një “perspektivë e bazuar në merita

e anëtarësimit të plotë në BE për Ballkanin Perëndimor, është ende pjesë e politikës së sigurisë dhe e interesit ekonomik të unionit”.

Presidenca çeke e BE-së, që do të nisë në korrik 2022, ka të ngjarë të ketë si prioritet çështjen e zgjerimit të unionit në Evropën Juglindore. Megjithatë, fjalët duhet të pasohen nga veprimet konkrete. Në vend se të zvogëlohet mekanizmi kryesor i politikës së zgjerimit (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit), siç u vendos gjatë ciklit buxhetor 2021-2027, fondet për rajonin duhet të rriten, në rast se Brukseli dëshiron të tregojë një përkushtim të vërtetë ndaj procesit të zgjerimit.

Siç e shpjegon edhe analisti serb Dushan Reljic “gjatë viteve 2021-2027 Ballkanit Perëndimor do t’i jepen vetëm 500 euro për frymë”, një normë që nuk është sigurisht tregues i një angazhimi serioz me rajonin.

Për më tepër, BE-ja duhet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme ndaj dukurisë së migrimit të vazhdueshëm nga rajoni të njerëzve më të arsimuar, që i ka lënë shumë vende në Ballkan të varfëruara demografikisht dhe pa një potencial ekonomik.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, rreth 4.6 milionë njerëz janë larguar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor midis viteve 1990-2019, ose rreth 25 për qind e popullsisë. Siç ndodh shpesh, individët që largohen jashtë vendit janë të rinj me arsim të lartë, me mendësi liberale, pra që mund të jenë një forcë shtytëse për afrimin e vendeve të tyre me një të ardhme më evropiane.

Por në vend të kësaj, siç argumenton Allison Carragher, ikja e vazhdueshme e tyre jahstë vendit (ku përfiton kryesisht Gjermania dhe Italia), po e dëmton perspektivën e këtyre vendeve për t’iu bashkuar një ditë Bashkimit Evropuian.

Së fundmi, BE-ja duhet të ketë një qëndrim më parimor dhe të ashpër përkundrejt Rusisë, e cila do të synojë të minojë vazhdimisht politikat evropiane në Ballkan, dhe të përfitojë nga çdo dobësi politike. Kjo vlen edhe për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje Hercegovinë (OHR), të cilën Rusia po përpiqet haptazi që ta mbyllë.

Kjo zyrë u krijua nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnje. Që atëherë, OHR ka synuar të zbatojë aspektet civile të marrëveshjes së paqes, dhe

të mbështesë krijimin e strukturave demokratike. Në vitin 2021, ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko, e mbylli mandatin e tij 12-vjeçar.

Para se të largohej, ai nxiti miratimin e disa ligjeve që e dënojnë penalisht mohimin e gjenocidit, duke shkaktuar edhe përshkallëzimin e veprimeve nga separatistët serbë. Shumë serbë të Bosnjës, nuk e pranojnë ende gjenocidin që ndodhi në Srebrenicë në vitin 1995.

Vendimi i Inzkos, nuk dha ndonjë kontribut për lehtësimin e pajtimin ndëretnik dhe forcimin e strukturave demokratike. Për më tepër, ai shkaktoi një reagim të ashpër nga Rusia, e cila që atëherë është përpjekur që ta largojë këtë mision nga Bosnja.

Edhe pse OHR do të duhet të mbyllet si zyrë, përpara se Bosnja të anëtarësohet në BE, mënyra se si do të ndodhë kjo do të jetë vendimtare. Për të shmangur ri-ndezjen e konfliktit etnik në Bosnje, BE-ja do të duhet të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi procesin e pajtimit.

Edhe vëzhguesi më optimist në Perëndim, do të detyrohej ta pranonte se Rusia zotëron kapacitete për të nxitur konflikte dhe për ta destabilizuar seriozisht Ballkanin, një rajon me rëndësi të shtuar për arkitekturën e sigurisë së Evropës.

Duke nxitur mosmarrëveshje territoriale, duke mbështetur politikanët separatistë, dhe duke dëmtuar institucionet demokratike, rajoni mund të zhytet potencialisht në një gjendje kaotike, pa pasur nevojë që Kremlini të dërgojë atje qoftë edhe një tank rus.

Prandaj është shumë e rëndësishme që BE-ja të ndjekë këshillën e famshme të Winston Churchill për të “mos lejuar asnjëherë që të shkojë dëm një krizë e mirë”. Ajo duhet të përdorë vendosmërinë e saj të sapo-gjetur pas pushtimit rus të Ukrainës, për të formuluar një strategji më të qartë për Ballkanin.

Ofrimi ndaj 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor i një rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në BE, pas 18 vitesh ngecje në vend, do të ishte kundërveprimi i duhur ndaj përpjekjeve të Rusisë për të minuar përparimin që është bërë në rajon gjatë 3 dekadave të fundit./London School of Economics”-Përktheu Bota.al