BLOG, 13 Prill 2022, 10:59

Zoti i rremë i Car Vladimirit

Zoti i rremë i Car Vladimirit

Koncepti “Zoti është me ne”, ka qenë pjesë e ringjalljes së nacionalizmit rus të Vladimir Putinit, një pretendim që është në fakt sa një sakrilegj aq edhe i pavërtetë. Administrata e Putinit ka zhvilluar një fushatë të zellshme dhe të përshpejtuar për të frenuar ndikimet e huaja.

Ajo ka mbyllur Memorial dhe organizata të tjera të të drejtave të njeriut, me akuzën e të qenit “agjentë të dyshuar të të huajve”. Ndërkohë Akademia Ruse e Shkencave dhe Duma, parlamenti rus po diskutojnë mënyrat për të kufizuar ndikimet që vijnë nga jashtë.

Disa zyrtarë propozojnë që çdo kontakt ndërmjet një shkencëtari të akademisë dhe një të huaji, duhet të autorizohet më parë nga drejtuesi i institutit.

Sa herë që një shkencëtar rus takohet me ndonjë të huaj, duhet të jetë i pranishëm një person i tretë; dhe në fund drejtorisë së institucionit duhet t’i dorëzohet një raport mbi takimin.

Po ashtu, e gjithë korrespondenca me shkencëtarët e huaj, duhet të monitorohet nga drejtoria e institutit. Mundësitë që ofron sot bota dixhitale, po përmbushin parashikimet e George Orwell për një Ministri të plotfuqishme të së Vërtetës.

Në fundin e viteve 1980, presidenti sovjetik Mikhail Gorbachev bëri thirrje që politikë-bërja të bazohej tek “vlerat universale”, dhe jo tek ato të klasës apo komunizmit. Tani, gjërat po kthehen aty ku ishin, ndërsa regjimi i Putinit po përqafon një kod moral mbi ato që janë “bazat e politikës shtetërore për ruajtjen dhe forcimin e vlerave tradicionale shpirtërore dhe morale ruse”.

Ai synon t’i kundërvihet ndikimeve perëndimore që mbjellin ide dhe vlera, të cilat konsiderohen si të huaja për popullin rus dhe shkatërruese për shoqërinë ruse.

Këto vlera negative përfshijnë kultin e egoizmit, lejueshmërisë dhe imoralitetit, së bashku me çdo përpjekje për të mohuar idealet e patriotizmit, shërbimit ndaj Atdheut, riprodhimit dhe punës krijuese.

Po ashtu, Perëndimi akuzohet për poshtërimin e kontributit pozitiv të Rusisë në historinë dhe kulturën botërore. Në janar të këtij viti, zëvendës/redaktori i gazetës së fundit të madhe të pavarur në Rusi, Novaya Gazeta (tashmë e mbyllur) vuri në dukje se dokumenti, që do të firmoset në maj nga presidenti Putin, pretendon se “kolektivizmi” është i natyrshëm në popullin rus.

Dokumenti nuk thotë asgjë për vlerat universale të përbashkëta që kanë shumë fe. Ai pretendon se vlerat ruse, burojnë nga më shumë se 1 mijë vjet traditë, kur vlerat fetare dhe shpirtërore të shumë popujve që jetojnë në Federatën Ruse, kanë konverguar në diçka të quajtur “Bota Ruse” (Russkii mir).

Shumica e kishave të krishtera dhe feve të tjera kryesore në botë, pretendojnë se shpallin ideale universale dhe jo ato kombëtare. Megjithatë, ky tekst nuk flet kurrë për t’i shërbyer Perëndisë. Përkundrazi, ai e shenjtëron Atdheun.

Projekt-dekreti presidencial është përgatitur nga Ministria e Kulturës në përputhje me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare.

Meqenëse ai parashikon ngritjen e një “organi koordinues ndër-institucional”, pasardhësit e Big Brother (Vëllait të Madh) mund të kërkojnë ngritjen e një Ministrie të Vlerave (Komtsen), si dhe të një Ministrie të së Vërtetës.

Patriarkana e Moskës e fesë ortodokse ruse, është e përfshirë në mënyrë aktive në nismat patriotike të autoriteteve. Për shembull, merrni simbolin e militarizmit modern rus, Katedralen e Forcave të Armatosura, të ngritur në vitin 2018 në qarkun Odintsovsky, rreth 1 një orë larg në perëndim të Moskës.

Imazhet e engjëjve rrinë pezull mbi armët e artilerisë. Imazhet fetare stolisin armët kallashnikov në stenda. Virgjëresha Mari shfaqet në një pozë që të kujton një poster sovjetik të “Luftës së Madhe Patriotike”, dhe e gjithë godina është e veshur me një metal ngjyrë kaki, tamam si uniformat ushtarake.

Në frymën naziste “Gott mit uns”, mozaikët e katedrales sugjerojnë se Zoti jo vetëm që bekoi Ushtrinë e Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe veprimet ushtarake ruse në Hungari në vitin 1956, Çekosllovaki në vitin 1968, në Afganistan, por edhe aventurat më të fundit të presidentit Putin në Çeçeni, Gjeorgji, Krime dhe “luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në Siri”.

Një shërbëtor 28-vjeçar në katedrale, tha se “vetëm rusët janë në gjendje të sakrifikojnë veten për të shpëtuar njerëzimin, ashtu siç bëri Jezusi”. E kombinuar me grupe të militarizuara të të rinjve si Ushtria Rinore (Yunarmiia), katedralja dhe Parku Patriotik, i përgatisin rusët për luftërat heroike të së ardhmes.

Muajin e kaluar, Patriarku Ortodoks rus Kirill (i njohur dikur si një agjent i vjetër i KGB-së, dhe si kreu i një rrjeti të paligjshëm të kontrabandës së cigareve), bekoi me entuziazëm pushtimin e Putinit në Ukrainë, si një kryqëzatë kundër paganizmit perëndimor dhe homoseksualëve, deklaratë që shkaktoi kritikat të forta të disa klerikëve rusë por edhe liderëve të Kishës Ortodokse në Ukrainë dhe më gjerë.

Pikëpamja mbi “Russkii mir”, e orkestruar në bashkëpunim me Patriarkun Kirill, është aleate me presidentin Putin në fushatën e tij për të shkatërruar shtetin dhe popullin ukrainas. Kisha ruse, siç sugjeron Alexander Motyl, duket se e ka humbur shpirtin e saj.

Putini mund të shpresojë që i njëjti fat e pret popullin rus – siç bëri edhe protagonisti që ndërtonte anije kozmike në distopinë fantastiko-shkencore të shkrimtarit Yevgeny Zamyatin, të ndaluar nga censuruesit sovjetikë në vitin 1921.

Derisa kirurgët ia hoqën shpirtin dhe imagjinatën, inxhinieri i raketave mundi të jetonte në botën e Bamirësit të Madh./ “Center for European Policy Analysis”-Bota.al